Kryetari i PD, Basha zhvillon takim me kryeministrin grek. Diskutohet mbi integrimin dhe bashkëpunimin mes dy vendeve
Kryetari i Partisë Demokratike , Lulzim Basha ka zhvilluar pjesë në ditën e sotme me kryeministrin e Greqisë z.Kyarikos Mitsotakis, kryetar i Nea Demokracia.
Z.Basha e ka falënderuar kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira.
Gjithashtu në bisedën mes dy liderëve është diskutuar edhe mundësinë e ndihmës që mund t’i jepet sektorit të turizmit shqiptar, ku kryeministri grek premtoi të vërë në dispozicion strategjinë e tyre të menaxhimit të turizmit.
Më poshtë postimi i plotë:
Pata kënaqësinë të zhvilloja një videokonferencë me kryeministrin e Greqisë z. Kyriakos Mitsotakis për të diskutuar situatën e krijuar nga pandemia por dhe masat e ndërmarra për përballimin e saj.
Gjatë bisedës, e falenderova kryeministrin grek për mundësitë e krijuara për punonjësit sezonalë nga Shqipëria në këto kohë të vështira. Sa më shumë mundësi punësimi për qytetarët shqiptarë aq më mirë është për ekonominë tonë në këtë kohë krize. Shqiptarët në Greqi dhe komuniteti grek në Shqipëri janë ura të rëndësishme lidhëse mes dy popujve tanë.
Në këtë drejtim diskutuam edhe mundësinë e ndihmës për sektorin e turizmit shqiptar për të cilin kryeministri Mitsotakis u shpreh i gatshëm të na vërë në dispozicion strategjinë e tyre të menaxhimit të turizmit në këtë kohë pandemie.
Në emër të PD e falënderova kryeministrin grek për vullnetin e shprehur për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Gjithashtu i shpreha mirënjohjen si kryetar i Nea Demokracia, simotrës tonë në Partinë Popullore Europiane, për mbështetjen e dhënë nga PPE në promovimin e reformave të domosdoshme dhe përmbushjen sa më parë të 15 kushteve për integrimin europian të Shqipërisë.
Nga ana e tij kryeministri Mitsotakis më siguroi se Greqia dëshiron dhe do të ndihmojë për një Shqipëri europiane, demokratike dhe me një ekonomi të zhvilluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.