Kryetari i PD-së, Basha: “Qeveria të subvencionojë qiratë, sulmet ndaj opozitës tregojnë nervozizëm”
Qeveria dhe opozita vijojnë me replikat në distancë lidhur me aktin normativ për shtyrjen e qirave për dy muaj për tre kategori për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës joparlamentare, pasi selia blu u shpreh se shtyrja me dy muaj e pagesave të qirave është antikushtetuese, teksa Lulzim Basha kërkoi që të subvencionohen nga shteti. Sipas kryedemokratit, qeveria po sillet nervoze duke sulmuar opozitën, në këtë mënyrë duke fshehur faktin se nuk ka asnjë plan konkret.
“Për tju ardhur në ndihmë njerëzve, kemi kërkuar që qeveria të subvencionojë qiratë dhe pagesat e qytetarëve dhe bizneseve në nevojë, ashtu si kanë bërë shumë vende duke nisur me Kosovën. Boll me fyerje dhe sulme ordinere: ato nuk i mbushin xhepat dhe tryezat bosh të shqiptarëve. Fyerjet dhe sharjet ndaj opozitës tregojnë se kryeministri nervoz nuk ka as ide dhe as plan masash për emergjencën.
Cfarë thotë në drekë, e ndryshon në darkë! Ai sot po tregon se nuk ka hallin e shqiptarëve por ka vetëm merakun e oligarkëve. Qeveria të anulojë menjëherë koncesionet, të rialokojë buxhetin dhe të shtojë pa vonesë fondet e emergjencës në ndihmë të shëndetit dhe njerëzve dhe bizneseve në nevojë. Koha nuk pret” – shkruan Basha.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.