Kryetari Veliaj shpjegon Buxhetin: “Fokusi te Rindërtimi. Konvikte të reja në Bujqësor. Hapet Kopshti Zoologjik, vijon ndërtimi i Teatrit ”
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka mbajtur ditën e sotme fjalimin e tij përpara Këshillit bashkiak përpara votimit për Buxhetin Afatmesëm 2021-2023 me të cilin do të operojë kryeqyteti duke shpjeguar me detaje në të planet dhe projektet kryesore ku do fokusohet Bashkia për të tejkaluar situatën e vështirë ekonomike ku gjendet Shqipëria.
Fillimisht z.Veliaj u ndal tek dy zërat që në këtë vit kishte një realizim të pakët të ardhurash për shkak të pandemisë:
“Po të shikoni zërat buxhetorë disa prej tyre vijën me reduktime të mëdha këtë vit. Një prej tyre është ulja e të ardhurave sidomos në industri të prekura nga Covid-19. Një nga ato ka qenë heqja e taksës së hoteleve, sepse nëse bregdeti kishin pushues dhe bënë xhiro, hotelet në Tiranë nuk kishin fare lëvizje. `
Një zë tjetër në buxhet me ulje ka qenë ajo e tarifës së hapësirës publike. Një pjesë të madhe të vitit nuk kemi pasur aktivitet në bare dhe restorante, si dhe kemi shtyrë edhe disa afate të pagesave lokale, për të mso rënduar bizneset.”
Gjithashtu kryetari i Bashkisë ka shprehur ambicien e Bashkisë për të çuar përpara vizionin e Rindërtimit në Tiranë, ku tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të mëdha në shumë objekte banimi. Gjithashtu një projekt tjetër madhor do të jetë ndërtimi i konvikteve të reja pranë Universiteti Buqjësor për ta zhvilluar të gjithë zonën me infrastrukturën e duhur si dhe hapja e Kopshtit Zoologjik me Kopshtin Botanik. Do vijohet edhe me punën në ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar:
“Në këtë buxhet do shikoni ambicien tonë për Rindërtimin. Janë 12 shkolla që do rindërtohen nga tërmeti. Kjo nuk është një mbivendosje të 17 shkollave të reja, pra ne do vazhdojmë me shkollat tona të projektit standart, për ta çuar numrin e shkollave të reja në 29.
Do të shtojmë 8 konvikte të reja në Bujqësor për ta çuar kapacitetin në akomodimin e 2100 studentëve.
Me këto 8 themele të para shtojmë jo vetëm shumëfishimin e studentëve në Kamëz. Ata do të jetojnë aty dhe do të plotësojmë dhe kërkesën e rektorarit për të shtuar edhe disa akomodime të tjera si mensa ushqimi, zyra dhe shërbime.
Do të vazhdojmë me njësitë individuale pallate. Kanë filluar punimet te 5 maji dhe për çështje ditësh fillojmë edhe në Kombinat.
Do të vazhdojmë me njësitë individuale ose shtëpitë në zonat rurale. Deri në fundvit do të dorëzojmë edhe 150 çelësa në rrethinat e Tiranës.
Nga grantet e rikonstruksionit përfitojnë edhe 8450 familje dhe vazhdojmë me bonusin e qirasë për 230 familje të tjera. I kemi planifikuar në Buxhet që çdo familjar të ndjehet i sigurtë, për të bërë tranzicionin nga shtëpia e shkatërruar në pallate.
Më pas kemi disa projekte strategjike si transformimi i Piramidës, që do te jetë baza e qendrës Tumo ose ndryshe e quajtur qendra e lëndëve kreative.
Hapja e Piramidës do të përkojë në vitin 2022 që do jetë dhe viti i Kryeqytetit Europian të Rinisë.
Viti i ardhshëm të jetë viti i hapjes së Kopshtit Zoologjik, që do të bashkohet me Kopshtin Botanik dhe së bashku me Liqenin Artificial do të krijojnë një zonë fantastike. Dhe duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Liqenin e Farkës.
Pika e Tretë është çështja e Teatrit Kombëtar. Ne do të fillojmë ndërtimin e teatrit të ri. Është e rëndësishme të ecet përpara. Kemi diskutuar për të dhe nuk u shpall kurrë monument kulturor. Një ndërtesë që nuk mbante asnjë lloj vlere. Një ndërtese e re, moderne dhe me 9-fish hapësirë është një ndërtesë që i ka hije Tiranës si 100 vite kryeqytet.
Kemi bërë prishjen e vjetra të Mjekësisë dhe do fillojmë ndërtimin e konvikteve të reja tek kryqëzimi i Farmacisë 10.”
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.