“Kthehet” inflacioni – Rritet në 2.4% për muajin qershor
Inflacioni dha më në fund shenja rritjeje gjatë muajit qershor, duke arritur në 2.4%, nga 2.1% që pati qenë për muajin maj. Sipas shifrave të Instat, ky është niveli më i lartë i inflacionit i regjistruar që nga janari i vitit të kaluar. Në atë periudhë, rritja erdhi kryesisht nga një valë e pazakontë të ftohti që shkaktoi shtrenjtim të produkteve bujqësore. Ndërkohë, rritja e muajit qershor duke të ketë baza më të qëndrueshme dhe është e shpërndarë në disa grupmallra.
Përveç një rritje të çmimeve në grupin e ushqimeve, një ndikim në rezultatin e muajit qershor dhanë edhe çmimet e qirave, ato të karburanteve dhe të veshjeve. Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e lartë erdhi në të nëngrupi i zarzavateve, ndërsa shtrenjtim u regjistrua dhe te peshku dhe vaji. Rritja e çmimeve të karburanteve e ka rritur me 1 pikë përqindje inflacionin e grupit “transporti”, duke e çuar në 3.1%.
Burimi: INSTAT
Lëvizja shumë e ngadaltë e inflacionit drejt objektivit prej 3% e detyroi muajin e kaluar Bankën e Shqipërisë të ulte sërish normën bazë të interesit, në minimumin e ri historik prej 1%. Mbiçmimi i lekut po amortizonte presionet e huaja inflacioniste në ekonomi, ndaj, njëkohësisht, banka qendrore nisi operacionet e blerjes së euros në tregun e këmbimit valutor. Kjo ndërhyrje e ka stabilizuar kursin euro-lek pranë nivelit të 126 lekëve. Në parashikimin e saj të fundit, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda vitit 2020.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.