Kthehet ligji për zhvillimin e territorit – Meta: Mund të sjellë konflikt mes sipërmarrësve apo investitorëve
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji. Në gjetjet e këtij ligji, Presidenti shprehet se, rezulton që nuk është konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.
“Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cënimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik. Aplikimi i pikës 2, të nenit 8 të ligjit mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive, mbi të cilat realizohet ndërtimi”, arsyeton presidenti Meta.
Në anën tjetër, Presidenti i Republikës ka dekretuar tre ligje. Bëhet fjalë për ligjin “Për mbrojtjen e faunës së egër”, ratifikimin e “marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës gjermane, KfË Frankfurt Am Main, për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV” dhe ligjin “për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.