Kthehet PPP-ja për Orikum-Llogara / Meta: Proces i paligjshëm dhe jotransparent, cënim për financat e vendit
Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend për rishikim tërësor kontratën e partneritetit publik-privat për ndërtimin e aksit Orikum-Dukat, duke e konsideruar procesin tërësisht jotransparent dhe në mungesë të një vlerësimi të qartë ekonomik, çka sipas tij krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesin publik.
Sipas Metës, çmimi i dakordësuar midis palëve pas negocimit të kontratës mes autoritetit Kontratktor dhe kompanisë fituese është 67 359 926 Euro plus TVSH apo 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vetë autoriteti kontraktor për konkurrim. Ndërkohë që kjo bie në kundërshtim me legjislacionin aktual, që nuk lejon negocimin e ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues. Sipas Metës, në lidhje me kërkesën e Presidentit për sqarimin e kësaj situate të paqartë joligjore, nuk u dha asnjë shpjegim nga MIE, ARRSH dhe MFE. Ndërkohë që, edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka dhënë dakordësinë për këtë projekt, duke theksuar se nuk ekziston asnjë dokumentet që mund të vërtetojë të kundërtën, ndonëse ai është kërkuan nga institucioni i presidentit.
“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, theksohet ndër të tjera në deklaratë. Kthimi kësaj kontrate vjen një ditë pas dekretit që kërkonte rishqyrtim edhe të kontratës tjetër të partneritetit publik-Privat për aksin Milot-Balldren, ku gjithashtu Meta argumentoi paligjshmërinë në nënshkrimin e saj.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.