‘Kthesa’ e avashtë e tregtisë së jashtme/ Ku ‘emigruan’ mallrat shqiptare gjatë 2020
Nga Jenida VLADI
Shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT) sa i përket tregtisë së mallrave tregojnë se gjatë nëntorit eksportet kanë prekur vlerën e 27 mld lekëve, në rritje me 10.5% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, dhe me 1.7% krahasuar me muajin paraardhës. Importet ndërkohë, regjistrohen gjithashtu në rritje krahasuar me një vit më parë, prej 5%, duke prekur vlerën e 56 mld lekëve. Kështu, defiçiti tregtar gjatë nëntorit fiksohet në 28 mld lekë, në rritje me 0.2% krahasuar me një vit më parë.
Rritja vjetore e eksporteve prej 10,5% gjatë nëntorit është ndikuar nga grupet:“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me 4.3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 2.4 pikë përqindje. Ndërkohë, në uljen vjetore të eksporteve kanë ndikuar grupet:“Tekstile dhe këpucë” me -1.4 pikë përqindje,“Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0.3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0.1 pikë përqindje.
Rritja vjetore e importeve prej 5.0% gjatë nëntorit është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi”me 2.8 pikë përqindje,“Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.4 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan”me 2 pikë përqindje. Në krahun e kundërt kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2.9 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0.7 pikë përqindje si dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0.6 pikë përqindje.
Përgjatë 11-mujorit ndërkohë, eksportet rezultojnë në rënie me rreth 10% dhe importet me rreth 8.4%, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Gjatë 2-3 muajve të fundit, tregtia e jashtme ka kapërcyer disi krizën, me muajin shtator në rritje mjaft të lehtë të vëllimeve tregtare, dhe më tetorin në rënie modeste. Nëntori duket muaji i kthesës së madhe.
Mallrat shqiptare po ‘emigrojnë’ drejt Gjermanisë!
Edhe pse tregtia e jashtme e Shqipërisë nuk ka rikuperuar ende plotësisht nga goditja e pandemisë, sinjale pozitive vijnë nga disa partnerë tregtarë. Referuar shifrave zyrtare të INSTAT, eksportet shqiptare drejt Gjermanisë këtë vit kanë kapërcyer nivelin e vitit të kaluar, me 2 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar.
Në total, në periudhën janar-nëntor 2020, Shqipëria ka eksportuar në Gjermani mallra në vlerën e 15.1 miliardë lekëve ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë eksportet ishin 13.1 miliardë lekë.
Ndërkohë, importet kanë mbetur në të njëjtin nivel të vitit të kaluar.
Çfarë ka eksportuar më shumë Shqipëria në Gjermani?
Nëse analizojmë në mënyrë të detajuar shifrat, rezulton se ndikimin më të madh në këtë rritje të eksporteve shqiptare e kanë grupmallrat ‘ushqim, pije e duhan’ me 126 milionë lekë më shumë, ‘minerale, lëndë djegëse’ me 530 milionë lekë më shumë, ‘tekstile dhe këpucë’ me 1.1 miliardë lekë më shumë si dhe ‘makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi’ me 300 milionë lekë më shumë.
Ndërkohë, mallrat shqiptare nuk po rikuperojnë ende plotësisht me Italinë dhe Spanjën, dy partner tërëndësishëm tregtarë.
Sa i përket grupit “tekstile dhe këpucë’ që përbëjnë edhe një prej zërave më të rëndësishëm të eksporteve shqiptare, me Italinë që është partneri kryesor tregtar, këtë vit ‘mungojnë’ 14.7 miliardë lekë.
Ndërkohë me Spanjën, nga ky zë mungojnë 1.2 miliardë lekë.
Eksporteve të Shqipërisë në Kosovë i mungojnë 4 miliardë lekë këtë vit!
Eksporti i mallrave shqiptare drejt Kosovës ka njohur rritje në muajin nëntor, megjithatë në rang 11 mujori (janar-nëntor 2020) bilancit i ‘mungojnë’ 4 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total,Shqipëria ka eksportuar në Kosovë 23 miliardë e 563 milionë lekë këtë 11 mujor në krahasim me 27 miliardë e 607 milionë lekënë 11 mujorin e 2019.
Ndryshe ka ndodhur me importet që rezultojnë me një rritje prej 300 milionë lekësh në krahasim me 11 mujorin e 2019.
Çfarë eksportuam më pak në Kosovë?
Nëse analizojmë grupmallrat rezulton se ndikimin më të madh në këtë rënie e kanë pasur grupet minerale, lënde djegëse e energji elektrike ku këtë vit kemi eksportuar 2 miliardë lekë më pak dhe grupi materiale ndërtimi dhe metale ku janë eksportuar po 2 miliardë lekë më pak. Ndërkohë, grupmallrat ushqim, pije e duhan janë eksportuar 300 milonë lekë më shumë, lëkurë dhe artikuj lëkure 4 milionë lekëmë shumë.
Eksportet shqiptare drejt Italisë, ‘gropë’ 20 miliardë lekëshe, edhe pse nëntori ishte pozitiv
Eksporti i mallrave shqiptare drejt partnerit kryesor tregtar, Italisë, në muajin nëntor të këtij viti kanë arritur të kapërcejë problematikën e krijuar nga pandemia, duke u barazuar me nëntorin e vitit të kaluar. Megjithatë në rang 11 mujori ka një ‘gropë’ të madhe në eksporte, në krahasim me 11 mujorin e vitit 2019. Referuar shifrave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, Shqipëria ka ekportuar në Itali mallra në vlerë 113 miliardë e 659 milionë lekë mallra në periudhën janar-nëntor 2020. Ndërkohë, në janar-nëntor 2019 eksportet ishin 133 miliardë e 709 milionë lekë.
Pra, këtë vit janë eksportuar në Italia rreth 20 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar.
Importet
Ndërkohë, në muajin nëntor të këtij viti rezulton se Shqipëria ka importuar më shumë mallra nga Italia sesa në nëntorin e vitit 2019. Këtë nëntor, importet arritën vlerën e 15.2 miliardë lekëve; 1.3 miliardë lekë më shumëse nëntorin e vitit të kaluar. Por në rang 11 mujori, edhe importet kanë shënuar një rënie të fortë.
Në janar-nëntor 2020 Shqipëria importoi nga Italia 136 miliardë lekë mallra duke njohur një rënie me 15 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Analiza e shifrave/ ‘Rrugët e humbura’ të mallrave shqiptare. 5 shtetet me të cilat Shqipëria ka rritur eksportet dhe 5 shtetet me të cilat i ka ulur ato
Në Nëntor 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u rritur me 10,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 1,7 %, në krahasim me Tetor 2020. Në njëmbëdhjetëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 249 miliardë lekë, duke u ulur me 10,1 % krahasuar me një vit më parë.
Eksportet, gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori janë ulur me -10,1 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -5,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Ushqim, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje dhe “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me +0,3 pikë përqindje.
Nëse analizojmë shifrat e tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se Shqipëria ka rritur eksportet me 5 vende. Në listë janë Gjermania, Greqia e Maqedonia e Veriut. Ndërsa në listën e vendeve me të cilat eksportet janë ulur janë Kosova, Italia, Spanja, Kina dhe SHBA.
Vendet me të cilat Shqipëria ka rritur eksportet në krahasim me 11 mujorin e vitit të kaluar
Gjermani rreth 2 miliard lekë më shumë
Greqi rreth 400 milion lekë më shumë
Kroaci rreth 600 milion lekë më shumë
Maqedonia e Veriut rreth 200 milion lekë më shumë
Turqi rreth 500 milionë lekë më shumë
Vendet me të cilat Shqipëria ka ulur eksportet në krahasim me 11 mujorin e vitit të kaluar
Kosovë rreth 4 miliardë lekë më pak
Itali rreth 20 miliardë lekë më pak
Spanjë rreth 5 miliardë lekë më pak
Kinë rreth 1.4 miliardëlekë më pak
SHBA rreth 500 milionë lekë më pak
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.