Ku do të punësohen shqiptarët? Eksperti i huaj shpjegon se si do reformohet sistemi i punësimit
Qeveria shqiptare, nën mbikëqyrjen e disa anëtarëve të komisionit të ekonomisë, ka nisur një proces të reformimit të politikave publike të punësimit. Me këtë qëllim janë kontraktuar disa ekspertë ndërkombëtarë për të sjellë dhe eksperiencën e vendeve të zhvilluara. Dr.Yehuda Hamovitz ka folur për SCAN duke paraprirë konferencën e datës 1 Qershor ku dhe do të prezantohet plani kombëtar.
“Shqipëria është një vend unik përsa i përket fuqisë punëtore dhe ka potencial të madh por problemi është që ka një përqindje të lartë të papunësisë. Për të rinjtë deri në moshën 24 vjeç papunësia arrin në nivelin 28 për qind ndërkohë që në BE kjo shifër është 15 për qind. Kjo ndikon në gjithçka dhe për pasojë nuk ka punësim, nuk ka vende të mira pune, njerëzit po shkojnë aty ku munden.
Ata po largohen nga vendi dhe po shikojnë vende të cilat ofrojnë punë shumë të mira për njerëz me potencial të lartë. Por ajo që ndodh më pas është se janë njerëzit me më shumë potencial ata të cilët largohen, janë më të mirë-arsimuarit ata të cilët kanë aftësinë për të kontribuuar në vend në krahasim me pjesën që mbetet në vend.
Dhe nëse kufijtë hapen dhe Shqipëria bëhet pjesë e Bashkimit Europian, rreziku rritet edhe më shumë pasi të gjithë do të duan të largohen nëse nuk ka një program që t’i ndihmojë ata të qëndrojnë këtu” shprehet Dr.Yehuda Hamovitz – Ekspert i Politikave të Punësimit.
Por cilat janë dy mungesat e mëdha në tregun shqiptar të punës?
“Këtu në Shqipëri ekzistojnë dy çështje kryesore që janë paralele me atë që shihet në vende të tjera. Njëra është përputhja e pozicioneve të punës me njerëzit e fushës së duhur. E dyta është arsimimi, që duhet t’i përshtatet nevojave të tregut, dhe duhet theksuar që ka shumë për të bërë në këtë fushë. Qeveria dhe punëdhënësi duhet të kuptojnë që kjo është një çështjes shumë e rëndësishme dhe duhet trajtuar.
Nëse qeveria, punëdhënësit, punëdhënësit e mëdhenj, agjencitë e punësimit do të kontribuonin së bashku, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për Shqipërinë. Relativisht, buxheti i nevojitur për këtë … nuk është kaq i lartë” shprehet Hamovitz.
Në lidhje me kostot e domosdoshme për të aktivizuar një program të tillë punësimi, Hamovitz tregon se është më se e përballueshme
“Shumica e buxhetit që duhet është i nevojshëm për pagat e njerëzve, për njerëzit që operojnë në ato sektorë, kështu që të gjitha paratë dhe të gjitha burimet të qëndrojnë në vend dhe jo në kompani jashtë.
Më duhet të theksoj që puna është nder. Një person që kontribuon me pagën për familjen e tij është një person I nderuar dhe ne duhet të kërkojmë që njerëzit të jenë të nderuar.
Një gjë që më duhet ta theksoj është se të gjithë mund të bëjnë diçka dhe nëse do të gjendej formula e duhur që do t’i lejonte të gjithë të bënin diçka dhe të kishin një rrogë do të ndryshonte drejtimi i vendit” shprehet Hamovitz.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.