Ku ndryshon portofoli i shqiptarëve nga ai i europianëve? – Më shumë shpenzime për arsim, ushqim e mobilim, më pak për argëtim e kulturë
Shqiptarët janë të parët në Europë për nivelin e shpenzimeve për arsim, “ushqim dhe pije joalkoolike” mbi totalin e shpenzimeve mujore. Rreth 41.3% e shpenzimeve totale shkojnë për ushqim.
Nga të dhënat e kryqëzuara të INSTAT dhe EUROSTAT, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” shohim se vendi ynë rënditet i pari në disa zëra konsumi dhe i fundit në disa të tjera, krahasuar me vendet e Europës. Shpenzimet më të larta llogariten për kategorinë “ushqim dhe pije joalkoolike” me një vlerë 41.3% të shpenzimeve totale. ndërkaq rënditemi të parët për shpenzimet për arsim me një vlerë prej 3.1% të “portofolit” mujor.
Nga pasqyra e të dhënave shohim se vendi ynë është i katërti në rënditje përsa i përket shpenzimeve për mobilim me një përqindje prej 6.7 % të shpenzimeve të përgjithshme. Vendin e parë e zë Mali i Zi i ndjekur nga Turqia dhe Lituania.
Shpenzimet për komunikim e rendisin Shqipërinë të gjashtën me 3.7% të shpenzimeve totale. Krahasuar me vendet e rajonit vëmë re se Shqipëria nuk përbën një diferencë shumë të lartë.
Shpenzimet më të ulta krahasuar me vendet e tjera ndërkohë. rezultojnë për kategorinë “Argëtim dhe Kulturë” me 3.8 % të shpenzimit të përgjithshëm. Shqiptarët shpenzojnë më pak se çdo shtet tjetër europian për këtë kategori nga totali i shpenzimeve të tyre.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.