Ku ngec punësimi? Dyfishohet numri i personave që marrin një zanat
Jo më larg se dy javë më parë, gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Punësimit 2021 në qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama theksoi se ngërçi i tregut të punës, ku papunësia vijon të jetë e lartë sidomos në radhët e të rinjve, qëndron tek mungesa e aftësive profesionale të punëkërkuesve.
Sipas kryeministrit Edi Rama, çdo kompani ka vene të lira pune por vuan për forcë punëtore të kualifikuar, duke theksuar se qeveria do të orientohet drejt financimit të trajnimeve dhe arsimit profesional.
Por çfarë po ndodh realisht në tregun e punës? Referuar të dhënave zyrtare ndër vite të Shërbimit Kombëtar të Punësimit sa i përket personave të certifikuar pranë qendrave publike të formimit profesional, vihet re se në 4 vitet e fundit, numri i të papunëve që kanë fituar një zanat është dyfishuar.
Kështu, nga viti 2001 deri në vitin 2013, numri i personave që kanë zgjedhur të trajnohen përmes këtyre qendrave ka variuar nga 5 mijë deri në 8800. Ndërsa nga viti 2014, kur dhe qeveria i dha prioritet arsimit dhe trajnimit profesional vihet re një rritje e shpejtë e numrit, në 13.102 persona të trajnuar, rritje e cila ka qenë progresive, dhe gjatë vitit që kaloi ka qenë rreth 17 mijë.
Në total për vitet 2001-2017 janë rreth 165 mijë persona që kanë marrë një zanat. Shifrat tregojnë që numri i të interesuarve për punë që ka një zanat ka qenë në rritje dhe që tregu ka ofertë sa i përket zanatçinjve, ndërkohë që sërish papunësia vijon të mbetet pikë e dobët.
Kryeministri Edi Rama ka vendosur si objektiv për zyrat e punësimit 25 mijë ndërmjetësime deri në fund të vitit ndërkohë që paguan rreth 5 mijë lekë për ata që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike dhe po trajnohen për një zanat.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.