Kujdes nga fxlider.com – AMF: Subjekt i palicencuar, mos investoni
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëron publikun të mos investojë përmes platformës online fxlider.com.
Përmes një njoftimi zyrtar, AMF bën të ditur se operatori që vepron përmes këtij portali nuk është i licencuar nga Autoriteti për të operuar si agjent për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë. Si rrjedhojë, çdo komunikim, nëpërmjet telefonit, postës elektronike, apo mjeteve të tjera, që përfaqëson një ftesë ose marketing për të investuar nëpërmjet kësaj platforme, është i jashtëligjshëm.
AMF iu kërkon personave që mund të kontaktohen nga ky subjekt që të bëjnë denoncim në Policinë e Shtetit. Autoriteti bën të ditur se po komunikon me të gjitha institucionet e tjera ligjzbatuese për të ndaluar aktivitetin e kësaj shoqërie.
AMF kujton se nuk mund të jetë në mbrojtjen e interesave të investitorëve, që investojnë në subjekte apo platforma të palicencuara.
Mbështetur në ligjin për titujt dhe në aktet rregullatore në mbështetje të tij, një shoqëri brokerimi e huaj lejohet të ofrojë shërbimet e saj në vendin tonë, përmes një agjenti të themeluar si shoqëri brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, pas miratimit nga AMF.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.