“Kulla Ikonike” në Tiranë – Investimi 250 mln USD, debate për grupin e negociimit, faljen e taksave
Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi projektligjin për negocimin e marrëveshjes ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Al Habtoor Investment LLC”, për projektimin dhe ndërtimin e “Kullës Ikonike” në Tiranë.
Projektligji kërkon ngritjen e një grupi negociimi për kërkesat që ka parashtruar kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila parashikon të investojë rreth 250 milionë dollarë, por me kërkesat për dhënien e 25 mijë metrave katrorë dhe përjashtimin nga taksat për 15 vjet. Mbështetja e Kuvendit për ngritjen e një grupi negociimi shkaktoi debate edhe mes deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët ngritën pikëpyetje se sa të aftë do të jenë ekspertët për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar dhe Bashkisë së Tiranës përballë kërkesave të kompanisë.
Projektligji parashikon se procedura e negociimit të marrëveshjes do të ndiqet nga Komisioni i Negociimit të Marrëveshjes, kryesuar nga Ministria e Ekonomisë, dhe që ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Avokatura e Shtetit.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.