Kultivimi i duhanit, buxheti humbet 80 milionë euro në vit! Ndryshon ligji: Mbjellja, jo pa kontratë me grumbulluesin
Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon të rregullojë kultivimin dhe tregtimin e duhanit të papërpunuar, grumbullim-përpunimin industrial, prodhimin edhe tregtimin e produkteve të tij në Shqipëri.
Ligji i vitit 2000, ndonëse është amenduar disa herë, për të zgjidhur problematikat specifike të kultivimit dhe tregtimit të duhanit si dhe formalizimin e tregut, përsëri ka rezultuar joefikas në realizimin e këtij qëllimi.
Nga analizat e grupit të punës është konstatuar se:
– Rreth 25-30% e konsumit të duhanit është informal, nuk paguan taksa;
-Ky duhan informal (duhan i grirë) që nuk paguan taksa i shkakton buxhetit një humbje 20-25 milionë euro. Nëse këtë konsum informal e konvertojmë në cigare të shitura nga furnizuesit formalë, humbjet për buxhetin e shtetit llogariten rreth 80 milionë euro në vit;
– Mungesa e politikave të veçanta dhe mospërfshirja në mbështetjen financiare me skema kombëtare nga viti në vit është shoqëruar me ulje të ndjeshme të sipërfaqes së mbjellë me duhan;
– Mungesa e akteve ligjore dhe nënligjore efiçente që rregullon marrëdhëniet mes kultivuesve dhe grumbullues–përpunuesve vitet e fundit ka krijuar mjaft probleme për kultivuesit e duhanit, veçanerisht ata të zonës së Dumresë në Elbasan, të cilët kanë vite që nuk marrin pagesat respektive për duhanin e grumbulluar nga grumbullues–përpunuesit;
– Këto dhe shumë arsye të tjera që lidhen me punësimin e banorëve në zonat me kushte të favorshme për kultivimin dhe prodhimin e duhanit dhe produkteve të tij, diktuan nevojën për përgatitjen e projektligjit “Për kultivimin, grumbullimin, përpunimin, prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe të produkteve të tij”.
Ndryshimet e ligjit
Nga praktika e deritanishme e marrëdhënieve midis kultivuesve dhe grumbulluespërpunuesve të duhanit janë konstatuar mangësi dhe defekte të qenësishme, kryesisht në vlerësimin real të cilësisë së duhanit dhe shlyerjes së vlerave sipas afateve kontraktuale.
Ky konstatim sjell nevojën e rregullimit të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet fermerëve dhe kompanive grumbullues-përpunuese. Ky projektligj rregullon krijimin e garancisë bankare në masën 100% të vlerës së duhanit të grumbulluar dhe shlyerjen e detyrimit financiar jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga dita e blerjes së duhanit. Projektligji përcakton rregulla të qarta për kultivimin e duhanit duke sanksionuar në ligj lejimin e kultivimit të duhanit vetëm nëse fermeri ka një kontratë me një grumbullues-përpunues, duke kontrolluar në këtë mënyrë territorin e mbjellë me duhan.
Në pikën 2, të nenit 9, të këtij projektligji, është përcaktuar se para se fermeri të mbjellë farishtet duhet të dorëzojë një kërkesë me shkrim pranë njësisë përgjegjëse për bujqësinë në rajon (AREB) për të gjitha ngastrat kadastrale të deklaruara për t’i mbjellë me duhan dhe pajisin kultivuesin e duhanit me kartelën personale të konfirmuar për të dhënat faktike.
Në pikën 3, të nenit 9, të këtij projektligji, ndalohet mbjellja e duhanit në fushë para nënshkrimit të kontratës me grumbullues-përpunues të licencuar dhe/ose prodhues produktesh duhani, mbjellja do të fillojë vetëm pasi të jetë nënshkruar kontrata me një grumbullues-përpunues të licencuar. Shkelja e kësaj kërkese të rëndësishme është konsideruar kundërvajtje.
Neni 10, i projektligjit, detajon detyrimin e fermerit për t’u pajisur me kartelë pesonale të konfirmuar (pika 1), si dhe kriteret që duhet të plotësojë fermeri për t’u pajisur me kartelën personale të konfirmuar. Po ashtu, kur kryhet transferimi i kuotave të prodhimit (pika 2 e këtij neni).
Në nenin 11, të këtij projektligji, zgjidhet problematika e afateve të grumbullimit (pikat 1 dhe 2), detyrimin për të demonstruar mostrat përfaqësuese për çdo cilësi sipas standardeve në fuqi si modele krahasimi (pika 3) pranë pikave të grumbullimit, vlerësimit cilësor të duhanit të papërpunuar duke krahasuar prodhimin me mostra përfaqësuese të ekspozuara pranë pikave të grumbullimit (pika 6, neni 11) prej grumbullues-përpunuesit, si dhe nëpërmjet detyrimit të rivlerësimit të tij me ekspertë të gjithëpranuar nga palët kontraktuale (pikat 7 dhe 8, të nenit 11, të këtij projektligji).
Neni 12, i projektligjit, përcakton detyrimin e grumbulluesit për të dorëzuar një kopje të kontratave të lidhura të prodhimit me fermerët kultivues të duhanit (pika 1) si dhe detyrimet se një fermer nuk mund të lidhë kontrata me më shumë se një grumbullues për të njëjtën sipërfaqe, lloj dhe rastet e përjashtimeve nga ky ndalim (pikat 2 dhe 3, të nenit 12).
Neni 13 i projektligjit përcakton mënyrat e tregtimit të duhanit të papërpunuar, mënyrën e trasportit të tij dhe dokumentet shoqëruese gjatë procesit të tregtimit të tij (pikat 1 dhe 2).
Risi e këtij projektligji është riformulimi dhe zgjerimi i dokumentacionit dhe i evidencave që palët duhet të dorëzojnë pranë organeve përgjegjëse të fushës.
Po ashtu, risi tjetër është parandalimi i tregtisë së paligjshme duke përcaktuar institucionet përgjegjëse ministria përgjegjëse për financën, ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe Ministria e Brendshme duke krijuar komisionin ad-hoc.
Po ashtu, ritheksohet detyrimi për pajisjen me pullë fiskale çdo produkt duhani në treg si dhe rastet kur ndalohet tregtimi i duhanit dhe i produkteve të duhanit. Mbështetja financiare për kultivuesit e duhanit me qëllim formalizimin e tregut dhe nxitjen e prodhimit janë përshkruar në kreun VIII, të këtij projektligji, përkatësisht në nenin 25, duke përcaktuar si llogaritet ky fond dhe mënyrën e administrimit të tij nga AZHBR-ja për mbështetjen e kultivimit të duhanit. Gjithashtu, në këtë projektligj, janë përcaktuar rregulla të reja për kontrollin e produkteve të duhanit të pranishme në tregun shqiptar, kundërvajtjet administrative dhe sanksionet për këto kundërvajtje si dhe janë bërë përmirësime të rëndësishme për disa tarifa për sanksionet që vendosen nga inspektorati i AKU-së.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.