“Kumbon” Brexit në BE dhe Britani – Barnier: Pakti më i mirë i mundshëm. May: Duhet përgatitje!
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May tha se nëse humbet votimin në parlament për të miratuar kushte e Brexit, do të duhen disa parapërgatitje për të dalë nga Bashkimi Europian pa asnjë marrëveshje. Sipas saj, afati kohor është i ngushtë dhe disa njerëz duhet të përgatiten për datën 11 Dhjetor. Theresa May shtoi se marrëveshja për partinë e Irlandës së Veriut DUP është ende në fuqi dhe se qeveria e saj ka diskutuar shqetësimet e partisë për Brexit me Bashkimin Europian.
“Nëse parlamenti refuzon marrëveshjen në këtë pikë, atëherë duhen patjetër që të ndërmerren disa hapa, për shkak se duhet përgatitja për daljen pa marrëveshje. Afati kohor detyron përgatitjen për daljen pa marrëveshje, nëse parlamenti nuk e voton në datën 11 Dhjetor”, tha May.
Nga ana tjetër, negociatori europian për Brexit, Michel Barnier, tha se marrëveshja e arritur me qeverinë britanike është “e vetmja zgjidhje e mundur”. Në një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian, ish-ministri i jashtëm francez tha se vendimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian, përbën një situatë që ka vetëm humbje nga të dyja palët dhe nuk ka vlerë të shtuar.
“Duke marrë parasysh vështirësinë e negociatave, marrëveshja që ndodhet në tryezë, dalja e rregullt nga Europa dhe deklarata politike, përbën alternativën më të mirë të mundshme. Nuk ka patur ndonjëherë dyshim për çështjen e fituesve apo humbësve. Brexit ka vetëm humbës dhe nuk ka vlerë të shtuar”, u shpreh Barnier.
Barnier foli në një sallë thuajse boshë në parlament, ndërkohë që Europa pret verdiktin nga Londra dhe këmbëngul nënshkrimin e marrëveshjes. Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars 2019.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.