Kupola Ziggo, Amsterdam/ Covid-19, në diskotekë pa distancë dhe pa maskë
Një grup studiuesish holandezë zhvilluan një eksperiment në Amsterdam mbi përhapjen e koronavirusit në një diskotekë me 1,300 vullnetarë.
Sensorë lëvizjeje dhe kokteje fluoreshente u përdorën për të nxjerrë në pah pikat e lëshuara nga goja gjatë këndimit dhe kërcimit. Siç raportohet nga Repubblica, eksperimenti i konceptuar nga grupi kërkimor “Fieldlab”, i porositur nga qeveria holandeze, do të përdoret për të regjistruar gjestet dhe lëvizjet që favorizojnë përhapjen e infeksioneve Covid-19 në rrethana mbledhjeje, për të identifikuar kushtet për rihapje të mundshme të diskove ose ambienteve të cilat janë shumë të populluara.
Vullnetarët ju nënshtruan një tamponi gjatë hyrjes dhe do të testohen përsëri pesë ditë më vonë. Biletat u shitën në kohë rekord për 20 minuta me një çmim prej 15 euro. “Më në fund dolëm pas një kohe kaq të gjatë në shtëpi, të paktën bëmë diçka të dobishme ”ishte komenti i njërit prej pjesëmarrësve.
Vullnetarët u ndanë në gjashtë grupe të izoluar nga njëri-tjetri. Secilit prej tyre iu dhanë udhëzime të ndryshme në lidhje me distancën që duhen respektuar, kufijtë e lëvizjes që duhen ndjekur, aftësinë për të bërtitur dhe kënduar dhe së fundmi, rregulla të ndryshme për përdorimin e maskave. Por edhe për ata që kishin marrë udhëzime kufizuese për t’i mbajtur maskat, gjatë mbrëmjes u vu re një tendencë në rritje për të braktisur pajisjet mbrojtëse personale.
Kjo nuk është hera e parë që kryhet një eksperiment i tillë. Gjithashtu në Holandë, 500 njerëz u testuan në Utrecht në një konferencë në Shkurt, në një shfaqje kabare dhe në një ndeshje me 1,200 spektatorë në Janar.
Një nga studiuesit e “Fieldlab”, Tim Boersma, shpjegoi se do të duhet pak kohë para se të arrijmë në rezultatet e studimit “por ne shpresojmë që puna jonë të çojë në një rihapje inteligjente të ngjarjeve.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.