Kur stimujt nuk bëjnë më efekt – Japonia mbetet pa mjete për të luftuar recesionin e ardhshëm
Programi i stimujve në Japoni, “Abenomics”, nuk po bën më efekt, duke treguar se Qeveria dhe Banka Qendrore mund të detyrohen të luftojnë përmbysjen e ardhshme të ekonomisë me një arsenal të zbrazur të politikave.
Analistët thonë se Japonia do ta shmang recesionin, apo tkurrjen ekonomike për 2 tremujorë radhazi, duke argumentuar se rënia në fillim të vitit është shkaktuar nga faktorë të përkohshëm si moti i keq dhe dobësimi i tregjeve të kapitalit. Megjithatë, ekzistojnë faktorë që tregojnë se rritja ekonomike po ngadalësohet, pas 2 viteve të ekspansionit.
Prodhimi i fabrikave ka rënë dhe inventarët janë rritur në muajin Prill, duke treguar se firmat mund të kenë mbivlerësuar kërkesën globale. Rritja e barrierave tregtare nga politikat proteksioniste të Donald Trump po ndikojnë gjithashtu ndjesinë e bizneseve, që është përkeqësuar sipas sondazheve të Qeverisë.
Pagat janë rritur në mënyrë tejet të ngadaltë pavarësisht se kompanitë kanë përfituar nga politikat lehtësuese të Kryeministrit Shinzo Abe. Shpenzimet e familjeve ranë gjatë muajit Prill dhe aktiviteti i sektorit të shërbimeve u ngadalësua, duke shtuar shqetësimet te konsumi, që përbën 60% të ekonomisë.
Përveç kësaj, ndryshe nga 5 vite më parë ku Banka e Japonisë prezantoi paketën gjigante të stimujve për të nxjerrë ekonominë nga stanjacioni, banka qendrore ka mbetur tashmë pa mjete për të nxitur rritjen.
Vitin e kaluar, politikëbërësit po diskutonin për mënyra se si të komunikojnë përfundimin e politikave lehtësuese, ndërkohë që normat e interesit pranë zeros kufizojnë sistemin bankar të vendit.
Megjithatë, këto bisedimet janë larguar, ndërkohë që perspektiva për rimëkëmbjen ekonomike është zbehur dhe inflacioni qëndron i ulët.
Nuk ka më hapësirë që Banka e Japonisë të rrisë blerjen e obligacioneve, pasi blerjet për vite me radhë kanë bërë që institucioni të zotërojë 40% të të gjithë tregut.
Sipas analistëve, ulja e normave të interesit që qëndron tashmë në -0.1%, nuk do të ishte e mundur pasi do të dëmtonte më tej sistemin bankar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.