Kur u sanksionua pavarësia e Bankës së Shqipërisë?
Më 23 dhjetor 1997, me ligjin nr.8269, “Për Bankën e Shqipërisë” sanksionohet për herë të parë pavarësia e Bankës së Shqipërisë nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj, si dhe në ushtrimin e detyrave.
Elementet e reja që solli ky ligj si shprehje e sanksionimit të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë qëndrojnë kryesisht tek: mënyra e vendimmarrjes; zgjedhja e Këshillit Mbikëqyrës, zgjedhja e Guvernatorit, afatet e qëndrimit të tij në detyrë; kompetencat e ekzekutivit; kufizimi i të drejtës për të dhënë kredi direkte për qeverinë përtej një kufiri të caktuar nga ligji etj.
Me këtë ligj, Banka e Shqipërisë: përgjigjet para Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë; ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve; ka të drejtë të veprojë si agjente fiskale për llogari të Qeverisë së Republikës të Shqipërisë; ka të drejtën ekskluzive dhe është emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare me kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Fondi i themelimit të Bankës së Shqipërisë është 750 milionë lekë. Ai mund të rritet me propozimin e Bankës së Shqipërisë dhe me miratimin e Ministrisë së Financave. I tërë fondi i themelimit akordohet dhe është në pronësi ekskluzive të Shtetit Shqiptar. Ky fond nuk mund të transferohet ose hipotekohet.
Burimi: Banka e Shqipërisë
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.