Për t’u përballur me konkurencën e ashpër të iPhone dhe Samsung në tregun e smartfonave, kompania finlandeze, Nokia, tashmë po synon masat dhe çmimin. Nokia ka nisur fushatën publicitare të Nokia Asha501, një smartphone që pritet të dalë në shitje në muajin qershor me çmimin prej 99 dollarësh, pa përfshirë taksat që variojnë në sipas vendeve.
Por përveç çmimit tejet të arsyeshëm, kompania finlandeze sjell një produkt cilësor, praktik dhe që ofron argëtim të garantuar. Ekrani është ndërtuar kundër tendencës së fundit që shkon drejt zmadhimit dhe është 320x240 piksel. Nokia i ka kushtuar rëndësi prakticitetit të produktit më të ri.
Me një prekje mund të kryesh telefonatë, të hapësh internetin, të shohësh postën apo të luash. Aparati ofrohet në dy mundësi, mono dhe dual sim. Kohëzgjatja e baterisë është në nivele rekord, plot 48 ditë stand by, mbi 7 ditë me shërbimin e internetit 2G dhe mbi 3 ditë me 3G të aktivizuar. Kamera është 3.15 megapiksel, ndërsa sistemi i operimit është Nokia Asha Platform Software 1.0.
Përgatiti: Lidion Kulla