Kurset profesionale falas – Kaçori: I kanë përfituar 5 000 vetë, integrim në tregun e punës
Prej janarit të vitit 2014, rreth 5000 vetë kanë përfituar kurse profesionale falas, përmes ndërmjetësimit nga zyrat e punës. Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga drejtoresha e Punësimit në Tiranë, Marisa Kaçori, e cila shton se ky numër ka ardhur në rritje, nga viti në vit. Sipas saj, prej muajit mars të këtij viti, rritje ka pësuar edhe frekuentimi i kurseve profesionale në fushën e hoteleri-turizmit, duke qenë se ky sektor ka një mungesë profesionistësh.
“Në bazë të treguesve që janë të viteve të kaluar dhe të analizës së plotë, vetëm nëpërmjet zyrave të punës mund të kemi rreth 5 mijë kursantë, që janë certifikuar nga qendrat e formimit profesional. Duke qenë se ka qenë një nga prioritetet e Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe Rinisë në dy vitet e fundit, ka ardhur shumë në rritje, meqenëse ne i kemi dhënë goxha prioritet arsimit profesional, përfshirë edhe shkollat profesionale. Ka një rritje, por sigurisht kriteret janë shumë të forta, qoftë për shkollën e formimit profesional, qoftë edhe për qendrat e formimit profesional, duke patur parasysh që ne tashmë nuk po shkojmë për t’iu dhënë atyre thjesht një certifikatë, por për t’i përgatitur dhe nesër për të qenë sa më të gatshëm për t’u punësuar, apo për t’u vetëpunësuar”, tha Kaçori.
Sipas legjislacionit në fuqi, janë disa kategori që mund të përfitojnë kurse profesionale pa pagesë, ndërkohë që rëndësi iu jepet edhe emigrantëve të rikthyer, me qëllim integrimin e tyre në tregun e punës.
“Kategoritë që përfitojnë kurset falas në qendrat profesionale janë nga kategoritë e grupeve të veçanta, përfshirë romët, gratë e trafikuara. Njëkohësisht përveç tyre përfitojnë edhe ata që janë të regjistruar në zyrën e punës, por që kanë marrë statusin si punëkërkues i papunë. Prioritet sigurisht që kanë ato grupe që vijnë nga grupet vulnerabël. Emigrantët janë sigurisht një kategori shumë e rëndësishme dhe që përfitojnë edhe këta nëpërmjet këtij urdhrit kurset profesionale falas, janë sigurisht edhe një prioritet i zyrës së punës, për sa kohë që emigrantët e rikthyer janë një kategori që duhet të integrohen edhe njëherë në tregun e punës, për shkak të largimit të tyre dhe ndoshta për një kohë të gjatë ata janë të panjohur dhe të paintegruar, duke mos ditur se si mund të aplikojnë për një vend pune, apo duke mos ditur se cilat janë kërkesat edhe ofertat në tregun e punës shqiptar”, shtoi Kaçori.
Mesatarisht një person mund të kursejë 2 mijë deri në 4 mijë lekë nga ndjekja e një kursi profesional pa pagesë, ndërkohë që në varësi të kursit që përzgjidhet, kjo shumë mund të shkojë edhe në 7 mijë lekë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.