Kursi euro/lek, më i ulëti në 5 vite – Si ndikoi tek çmimet dhe bizneset e import-eksportit
Gjatë këtij viti, kursi mesatar i këmbimit euro/lek ka arritur në pikën më të ulët të 5 viteve të fundit, duke bërë që leku të jetë më i fortë kundrejt monedhës europiane. Sipas të dhënave zyrtare të doganave, në 8 muajt e këtij viti, kursi mesatar euro/lek regjistrohet në 123.11, vlera më e ulët që nga 2017. Por si përkthehet kjo vlerë? Për importuesit, kursi ka qenë i favorshëm pasi kanë blerë mallra me vlerë më të ulët, gjë që është reflektuar edhe në rritjen e ndjeshme të importeve.
Referuar të dhënave të INSTAT, në 8-mujor importet e mallrave arritën vlerën 487 miliardë lekëve, duke u rritur me 29,3 %, krahasuar me një vit më parë. Por pavarësisht rritjes së konsiderueshme të importeve dhe përfitimeve të bizneseve nga kursi, kjo nuk është reflektuar në uljen e çmimeve të produkteve të importit në vendin tonë, por përkundrazi, ato janë në rritje progresive.
Nga ana tjetër, kursi i këmbimit ka ndikuar negativisht në bizneset eksportuese në vendin tonë dhe kryesisht ato të fasonerisë, të cilët i kanë shitur më lirë produktet e tyre. Por edhe pse me ulje të fitimit, kjo nuk ka qenë arsye për të ndalur rritjen e eksporteve gjatë këtij vitit, ku bizneset kanë bërë maksimumin për të rikuperuar edhe humbjet nga viti i mëparshëm. Kështu, në tetëmujorin 2021, eksportet e mallrave arritën vlerën 232 mld lekë, duke u rritur me 37,3 %.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.