Kursi i këmbimit, leku dobësohet kundrejt valutave ndërkombëtare – Euro ende i ulët
Dita e enjte ka shënuar një dobësim të lekut kundrejt pjesës më të madhe të valutave ndërkombëtare. Kështu, dollari amerikan, paundi britanik, dollari kanadez dhe dollari australian janë forcuar në raport me monedhën vendase e për pasojë këmbëhen për një çmim më të lartë.
Valuta e Shteteve të Bashkuara pavarësisht një zhvlerësimi të vogël në tregjet aziatike kundrejt jenit japonez, vazhdon të ruajë momentin pozitiv. Megjithatë analistët i druhen rrezikut të një zhgënjimi, për shkak të vonesave në implementimin e shkurtimit të propozuar të taksave.
Edhe paundi britanik këmbehet për 0.2 lekë më shumë se ditën e djeshme, duke u fiksuar në vlerën e 150.5 lekëve. Megjithatë kjo valutë ka shfaqur luhatje të shpeshta që prej fillimit të muajit Shtator dhe pritet që kursi në raport me lekun të ndryshojë sërish.
Ndryshimin më të madh në kursin e këmbimit e kanë patur dollari australian dhe ai kanadez, të cilat fituan të dyja nga 0.3 pikë kundrejt lekut.
Ndërkohë, monedha e Bashkimit Europian mbetet në të njëjtat nivele prej fillimit të javës. 1 euro këmbehet sot për 133 lekë dhe blihet me 133.7 lekë. Po ashtu e pandryshuar ditën e sotme paraqitet edhe franga zvicerane, e ndalur në nivelin e 114.5 lekëve.
Valuta | Shitet | Blihet |
EUR/ALL | 133.00 | 133.70 |
USD/ALL | 114.70 | 115.50 |
GBP/ALL | 150.50 | 151.30 |
AUD/ALL | 88.00 | 88.80 |
CAD/ALL | 90.00 | 90.90 |
CHF/ALL | 114.50 | 115.50 |
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.