Kush është deputetja italiane që kryeson misionin vëzhgues të OSBE për zgjedhjet e 25 qershorit?
Marietta Tidei është vendosur në krye të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen këtë të dielë në Shqipëri. Tidei është deputete e Partisë Demokratike në Itali dhe kjo nuk është hera e parë që ajo merr pjesë në misione ndërkombëtare për monitorim zgjedhjesh pasi është njëkohësisht edhe anëtare e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Tidei ka lindur në vitin 1975. Ajo është vajza e një ish deputeti dhe është shkolluar në shkenca administrimi. Në zgjedhjet e 2013 është zgjedhur deputete në Lacio. Ajo bën pjesë në komisionit e Punëve të Jashtme e Komunitare dhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë e Turizmit, raporton SCAN.
Më herët ka mbajtur detyrën e zëvendës-shefes së kabinetit të Presidentit të Këshillit Rajonal të Lacios, ka qenë këshilltare komunale në Civitavecchia e dhe zëvëndës sekretare e Partisë Demokratike në Romë.
“Trcgiornale.it”, një media lokale në Civitavecchia (vendlindja e Tideit), citon deputeten italiane që shprehet se vota e së dielës ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe rajonin në terësi. “Shqipëria po bëhet gati për një hap të rëndësishëm, atë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në vitet e fundit ka shënuar hapa të rëndësishëm në reformimin e administratës publike, sistemit gjyqësor e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar” shprehet Tidei.
Kjo nuk është hera e parë që misioni monitorues i OSBE-së për Shqipërinë drejtohet nga një grua. Dy procese të mëparshme zgjedhore janë monitoruar nga ekipi i vëzhguesve të drejtuar nga Audrey Glover.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, Tidei ka postuar edhe foto nga takimet e zhvilluara në Tiranë me ekipin monitorues të zgjedhjeve e me përfaqësues të subjekteve politike.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.