Kush është kandidatja për Presidente e BE, Ursula von der Leyen?
Pas bisedimeve tre-ditore, krerët e BE-së të martën propozuan ministren gjermane të mbrojtjes Ursula von der Leyen, 60 vjeç, për postin e presidentes së Komisionit Europian. Nëse propozimi i tyre miratohet nga Parlamenti Europian, von der Leyen do të bëhet gruaja e parë që do të ketë një pozicion kaq të rëndësishëm në BE. Kjo nuk është hera e parë që ajo ka bërë histori, pasi në 2013, ajo u bë ministrja e parë femër e mbrojtjes në Gjermani, një pozicion që ajo e mban edhe dhe sot. Politikania e lindur në Bruksel ka qenë një aleate e ngushtë i kancelares gjermane Angela Merkel për disa vite dhe mendohej se në të ardhmen do të ishte pasardhësja e saj.
Megjithëse hyri vonë në politikë, von der Leyen nuk ishte e huaj në botën e politikës pasi babai i saj, Ernst Albrecht, ka qenë ministër-president i Saksonisë së Ulët dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Komisionit Europian, përpos pozicionesh të tjera. Në moshën 13-vjeçare, ajo u shpërngul nga Brukseli në Gjermani me familjen e saj, dhe më pas vazhdoi të studionte ekonominë në Shkollën Ekonomike të Londrës, ndërsa më vonë mjekësinë me një specializim në gjinekologji në Hanover.
Ajo ka si gjuhë amtare frëngjishten dhe gjermanishten, është e martuar dhe ka shtatë fëmijë, diçka relativisht e rrallë në Gjermani, ku lindshmëria mesatare është 1.59 fëmijë për grua. Von der Leyen hyri në politikë në moshën 43 vjeçare dhe ka qenë anëtare e partisë konservatore të Kristian Demokratëve të Merkel (CDU) që prej asaj kohe. Ajo mbajti pozicione të ndryshme politike brenda rajonit të Hanoverit midis viteve 2001 dhe 2004, më pas u zgjodh në parlamentin e shtetit të Saksonisë së Ulët në vitin 2003, përpara se të bëhej anëtare e kabinetit si ministre për çështjet sociale, gratë, punët e familjes dhe shëndetin.
Von der Leyen u katapultua në peizazhin politik gjerman në vitin 2005, kur Merkel e emëroi atë si ministren e saj federale për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë. Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag, ose parlamenti gjerman federal si ministre federale e punës dhe çështjeve sociale deri në vitin 2013. Gjatë qëndrimit të saj si ministre e mbrojtjes, pati disa akuza mbi departamentin e saj për dhënien e kontratave të dyshimta private lidhur me punësimin e dy firmave konsulente, McKinsey dhe Accenture. Ajo më vonë u shpreh se ishin bërë thjesht disa gabime në ndarjen e kontratave dhe se ajo do të përpiqet të parandalojë që kjo të ndodhë sërish në të ardhmen përmes një sërë masash të reja. Në vitin 2015, ajo u akuzua, dhe më vonë u pastrua nga këto akuza për plagjiaturë në tezën e saj të doktoraturës.
Burimi: Euronews
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.