Kush është lideri i OBSH Tedros Adhanom, afrikani i specializuar në përgjigjet emergjente ndaj epidemive
Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus u zgjodh si Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së për një mandat pesë-vjeçar nga shtetet anëtare të OBSH-së në Asamblenë e Shtatëdhjetë të Shëndetit në maj të vitit 2017. Ai është personi i parë nga Rajoni Afrikan i OBSH që shërben si zyrtari kryesor teknik dhe administrativ i OBSH-së. Menjëherë pas marrjes së detyrës në 1 korrik 2017, Dr Tedros përvijoi pesë përparësi kryesore për Organizatën: mbulimin e shëndetit universal; emergjencat shëndetësore; shëndeti i grave, fëmijëve dhe adoleshentëve; ndikimet shëndetësore të klimës dhe ndryshimit mjedisor; dhe një OBSH të transformuar.
Dr Tedros shërbeu si Ministri i Jashtëm i Etiopisë nga 2012–2016. Në këtë rol ai drejtoi përpjekjet për të negociuar Agjendën e Veprimit Addis Ababa, në të cilën 193 vende u angazhuan për financimin e nevojshëm që arriti realizimin e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Dr Tedros shërbeu si Ministri i Shëndetësisë i Etiopisë nga viti 2002 deri në 2012, ku ai drejtoi një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit shëndetësor të vendit. Transformimi që ai drejtoi si Ministër i Shëndetësisë i Etiopisë përmirësoi qasjen në kujdesin shëndetësor për miliona njerëz. Nën udhëheqjen e tij Etiopia investoi në infrastrukturën kritike shëndetësore, zgjeroi fuqinë e saj të punës shëndetësore dhe zhvilloi mekanizma novatorë të financimit të shëndetit.
Lindur në qytetin e Asmara, Eritrea, Dr Tedros mban një Doktoratë Filozofie (PhD) për Shëndetin në Komunitet nga Universiteti i Nottingham dhe një Master Shkencor (MSc) në Imunologjinë e Sëmundjeve Infektive nga Universiteti i Londrës. Dr Tedros është njohur globalisht si një studiues shëndetësor, studiues dhe diplomat me përvojë të dorës së parë në kërkime, operacione dhe udhëheqje në përgjigjet emergjente ndaj epidemive.
Megjithatë, lideri i tanishëm i OBSH është akuzuar edhe për disa skandale. Në maj të 2017, u shfaqën në drejtim të tij akuza që lidheshin për një mbulim të supozuar të tre epidemive të mundshme të kolerës në Etiopi në 2006, 2009 dhe 2011. Akuzatorët shpreheshin se në një përpjekje për të fshehur epideminë e malarias, ai ka detyruar zëdhënësit e tij të mbulonin këtë sëmundje duke u prononcuar se ajo ishte një sëmundje tjetër, më pak e rrezikshme. Akuzat u bënë nga Larry Gostin, një profesor amerikan i drejtësisë, por Delegacioni i Bashkimit Afrikan në OKB hodhi poshtë raportin, botuar në New York Times, me pretendimin se ajo ishte “një fushatë e pabazuar dhe shpifje, që kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të kandidatit para zgjedhjeve të OBSH”.
Tedros Adhanom është kritikuar gjithashtu për arritjet e ekzagjeruar dhe një CV të fryrë, e cila është në kundërshtim me statusin shëndetësor të Etiopisë, i cili është i dobët edhe krahasuar me vende të tjera afrikane, sidomos kur bëhet fjalë për sëmundje potencialisht të parandalueshme, si HIV, malaria , tuberkulozi, parazitët e zorrëve, infeksionet akute të frymëmarrjes dhe sëmundjet e diarresë.
Pavarësisht arritjeve dhe akuzave që janë bërë në drejtim të tij, fakti është se Tedros Adhanom është gjetur para një krize të madhe me shpërthimin e Corona-Virus. Krizë që duhet menaxhuar. Lidhur me këtë krizë shëndetësore, drejtuesi i OBSH është shprehur se: “Ne nuk duhet të nxitohemi për të shpallur virusin një pandemi, pa një analizë të kujdesshme dhe me mendje të ftohtë të fakteve. Përdorimi i fjalës pandemi pa kujdes nuk ka ndonjë efekt të mirë, përveç përhapjes së frikës dhe panikut të kotë. Megjithatë, ne i bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të vazhdojnë angazhimin e tyre për masat e kontrollit. Dritarja e mundësive që të përmbajë shpërthimin po ngushtohet. Ne kemi ende një shans për ta përmbajtur atë, por ndërsa bëjmë gjithçka mundemi, ne duhet të përgatitemi në të njëjtën kohë për çdo eventualitet sepse kjo krizë mund të shkojë në çdo drejtim.”
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.