Kush përfiton nga amnistia fiskale? – Publikohet drafti/ Afati i përfitimit 1 vit, pasuritë që legalizohen
Të gjithë individët dhe subjektet që kanë para jashtë sistemit bankar do të mund t’i legalizojnë përmes deklarimit vullnetar brenda një afati 1 vjeçar. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim projektligjin për “amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, i cili përcakton procedurat për ligjësimin e pasurive të padeklaruara dhe/ose të paregjistruara tërësisht apo pjesërisht, rivlerësimin e pasqyrave financiare si dhe mbledhjen e tatimeve përkatëse si dhe mosfillimin e procedurave administrative dhe procedimeve penale ndaj këtyre subjekteve nga ana e institucioneve përkatëse, në lidhje me këto pasuri.
Sipas draftit, subjektet që përfitojnë nga amnistia janë janë individët shtetas shqiptarë pavarësisht nëse janë rezidentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.
Subjektet e përjashtuara nga ky ligj janë ato që kanë detyrim detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë; subjektet të cilët kanë qenë mbajtës të detyrave apo funksioneve të këtyre institucioneve, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre; si dhe subjektet me precedentë penalë. Subjektet e këtij projektligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elementë të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësinë apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të pa regjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.