Kush përfiton nga tregu europian? Zvicra fiton 2900 euro për frymë. Bullgaria, vetëm 150 euro
Tregu i përbashkët europian gjeneron 420 miliardë euro çdo vit, që arrin në 2.5% të Produktit të Brendshëm Bruto të të gjithë Bashkimit Europian, apo 840 euro për banor. Megjithatë, sipas një studimi të kompanisë gjermane Bertelsmann Foundation, kjo vlerë nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë.
Hulumtuesit, duke shqyrtuar të ardhurat e individëve në 300 qendra në Europë, cilësuan banorët e Hamburgut dhe Mynihut si përfituesit kryesorë si dhe vende të tjera eksportuese të Europës si Holanda, Austria dhe Belgjika. Përfitimet mesatare për frymë në Oberbayern dhe Hamburg, qëndronin në 1,489 dhe 1,478 euro në mënyrë respektive.
Shifra për Gjermaninë në total rezultoi në 1,046 euro, duke u futur në 10-ëshen kryesore, pavarësisht se ka pabarazi të mëdha në Lindje dhe Perëndim. Zyrihu dhe Londra kishin përfitime për frymë prej 3590 euro dhe 2,700 euro në mënyrë respektive, ç’ka nënkupton se disa prej përfituesve më të mëdhenj janë jashtë apo gati për të dalë nga Bashkimi Europian.
Ndarë në Shtete, Zvicra qëndronte në vend të parë me 2900 euro. Luksemburgu përfitonte nga tregu i përbashkët europian 2800 euro për frymë, ndërsa Irlanda, 1900 euro. Në Europën Jugore, përfitimet në të ardhura nga tregu i përbashkët ishin më të ulëta, pjesërisht prej mungesës së konkurrueshmërisë.
Studimi theksoi se Spanja, Portugalia dhe Greqia përfitojnë për person në 590, 500 dhe 400 euro në mënyrë respektive. Fitimet më të pakta nga tregu i përbashkët u regjistruan në Bullgari, Rumani dhe Greqi, nga 150 deri në një maksimum prej 500 euro.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.