Kushtetuesja rrëzon gjyqtarët – Mbetet në fuqi Ligji i Vetting-ut, nis zbatimi
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar përfundimisht kërkesën e Unioneve të Gjyqtarëve për shfuqizimin e 25 neneve paketës ligjore të Vetting-ut.
Pas një dëgjese pak javë më parë me shoqatat e gjyqtarëve, si dhe të përfaqësuesve të Kuvendit e të Qeverisë, Gjykata vendosi t’u thotë jo përfundimisht 2 prej 3 kërkesave për shfuqizimin e neneve, duke i hapur rrugën zbatimit në praktikë të Ligjit të Vetting-ut.
Praktikisht Kushtetuesja la në fuqi ligjet për rivlerësimin dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Është pranuar vetëm një ndryshim në ligjin për institucionet e reja të drejtësisë, përkatësisht një prej neneve që përcakton rastet e përjashtimit të anëtarëve, apo kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Padia e përbashkët e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon prej muajsh shfuqizimin e 25 neneve nga paketa e tre ligjeve kryesore të reformës në drejtësi.
Në shënjestër qenë më së shumti nenet të cilat ata i vlerësojnë antikushtetuese, si pamundësia për tu dorëhequr gjatë kohës që janë në sitën e Vettingut, marrja për bazë e opinionit publik në vlerësimin e tyre, deklarimet e dëshmitarëve të drejtësisë si dhe kontaktet me botën e krimit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.