Kushtetuesja rrëzon Shoqatën e Ndërtuesve – Pretenduan shfuqizimin e nenit që i detyron të japin 3% të objektit për strehim social
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar të enjten kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve e cila kërkoi shfuqizimin e një neni që i detyron të kalojnë në favor të fondit për strehimin social 3% të objekteve.
Objekt i kërkesës së ndëruesve ishte Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 19, të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”.
Kjo pasi, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi më 25 tetor të vitit të kaluar vendimin “Për kontributin e sektorit privat në krijimin e fondit të banesave sociale që kalojnë në pronësitë Bashkisë Tiranë nga ndërtimet e reja”, i cili parashikon që çdo ndërtues që zhvillon një pronë në Tiranë me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2000 meta katrorë duhet të japë në këmbim për strehim social 3% të sipërfaqes totale të ndërtimit që ka kryer. Por shoqata e Ndërtuesve nuk ishte dakord me këtë vendim, ndërsa çështjen e çoi në Kushtetuese.
Ndërtuesit pretenduan se qeveria ka prodhuar një politikë të njëanshme me qëllim që të ndihmojë shtresat në nevojë duke shkelur kushtetutën. Madje sipas tyre vendosja e një parashikimi të tillë mund të konsiderohet taksim i dyfishtë duke qenë se ndërtuesit aktualisht paguajnë taksën e infrastrukturës, një pjesë e së cilës shkon për ndërtimin e banesave sociale.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi mungesën e legjitimimit në drejtim të përfaqësimit të palës kërkuese dhe për këtë arsye rrëzoi kërkesën.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.