Kuvendi i ri – Më 9 shtator zhvillohet seanca e parë
Të shtunën e 9 shtatorit pritet që të zhvillohen dy seanca plenare. Kështu pas dekretit nga Presidenti i Republikës të datës 29 gusht për thirrjen e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, sekretaria e parlamentit, njofton se seanca e parë do të mbahet më datën 9 shtator, ora 10:00.
Direkt pas mbledhjes, Kuvendi do të zgjedhë Këshillin e Përkohshëm të Verifikimit të Mandateve i cili përbëhet nga 9 deputetë që do të shqyrtojnë dokumentacionin e çdo deputeti.
Pritet që ky këshill ta bëjë këtë raport brenda ditës së shtunë dhe më pas në po këtë ditë në orën 18:00, seanca parlamentar do të mblidhet sërish që deputetët e rinj të bëjnë betimin e tyre.
Në seancën e pasdites do të zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit, ku deri tani ka vetëm një propozim dhe ai është Gramoz Ruçi. Në këtë sesion të ri parlamentar, Partia Socialiste ka 74 mandate dhe drejton e vetme qeverinë.
Partia Demokratike është forca e dytë politike me 43 mandate, ndërsa LSI ka 19 mandate, PDIU 3 dhe PSD ka një mandate.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.