Kuvendi, kërkesa KPP-së për transparencën – Publikoni vendimet, të dhëna të hapura dhe plotësoni regjistrin e ankesave
Kuvendi kërkon më shumë transparencë ndaj qytetarëve nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik. Në rezolutën e miratuar për vitin 2021 kërkohet që të merren masa për plotësimin e informacionit për secilin vendim të marrë gjatë 2020, duke u pasqyruar në faqen zyrtare të KPP, ndërkohë që publikimet duhet të kryhen brenda 2 muajve nga publikimi i Rezolutës, e cila u miratua në seancën parlamentare të datës 3 Maj.
Ndërkaq, një tjetër kërkesë e Kuvendit lidhet edhe me ndjekjen dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar online në datën 05.10.2020, mes KPP dhe Open Contracting Partnership, me qëllim zbatimin e një standardi të ri të publikimit të veprimtarisë së KPP nëpërmjet publikimit të të dhënave bazuar në parimet open data. Po kështu, kërkohet që të plotësohet edhe Regjistri Elektronik i Ankesave me elementët shtesë të nevojshme, siç janë, lloji i procedurës dhe fondi limit për çdo procedurë prokurimi objekt ankimi.
Kjo kërkesë e Kuvendit duhet të plotësohet nga KPP brenda vitit 2021. Ndërkaq, sa i takon forcimit të kapaciteteve të këtij institucioni në rezolutë kërkohet që të vijojë dhe përfundojë procesi për plotësimin e strukturës së KPP brenda këtij viti, si dhe të merren masa konkrete mbi bashkëpunimin me Shkollën e Magjistraturës, Gjykatës Administrative, sa i takon trajnimit të punonjësve të të dyja institucioneve me qëllim aftësimin e tyre për të trajtuar çështje komplekse të prokurimit publik.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.