Kuvendi shqyrton aktin normativ, 9 ndryshimet që i bëhen buxhetit të vitit 2017
Kuvendi po shqyrton në seancë plenare aktin normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit të vitit 2017. Edhe pse është konsideruar si një ndërhyrje në buxhet për t’i dhënë zgjidhje problematikës së krijuar për blerjen e energjisë elektrike në kushtet e thatësirës apo për të mbështetur kapërcimin e situatës së krijuar nga zjarret gjatë periudhës së verës, ky akt shkon dhe më tej duke sjellë edhe rialokime fondesh të tjera.
Akti bën rialokime brenda zërave të shpenzimeve të buxhetit, përkatësisht:
-Rritjen e huamarrjes neto nga sektori energjitik me 3 miliardë LEKË, për të mundësuar përmbushjen e nevojës për energji elektrike deri në fund të 2017.
-Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadaltë tek ato me ecuri të lartë. Gjithashtu, kemi propozuar kalimin e një fondi në masën 1 miliard lekë si kontingjencë te projektet e investimeve publike (me financim të brendshëm apo me financim të huaj), bazuar në performancën e tyre për periudhën e mbetur të vitit. Ky fond propozohet të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
-Rritjen e zërit “shpenzime personeli” me 300 milionë lekë, si pasojë e akomodimit të politikës së rritjes së pagave dhe ndryshimeve strukturore të disa institucioneve.
-Reduktimin e shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.
-Rritjen e shpenzimeve korrente me 200 milionë lekë, për të përballuar kryesisht shpenzime të lidhura me përfaqësimin e Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të gjykatave ndërkombëtare, për të evituar krijimin e detyrimeve të prapambetura, shpenzimet të lidhura me emergjencat civile, nisur dhe nga situata aktuale problematike e lidhur me temperaturat e lartë dhe zjarret në masive pyjore të vendit.
-Reduktimin e shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 600 milionë lekë, duke u bazuar në realizimin faktit të 6-mujorit të parë të vitit 2017.
-Reduktimin me 200 milionë lekë të pagesë së papunësisë, nisur nga niveli i ulët i realizimit në 6-mujorin e parë.
-Shtimin me 1.2 miliardë lekë të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar realizimin faktik tij në fund të 6-mujorit, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti dhe pritshmëritë e përdorimit të tij për në gjysmën e dytë të vitit. Fondi prej 1 miliardë lekësh parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat që lidhen me faktorë natyrorë.
-Shtimin me 500 milionë lekë të fondit të shpronësimeve, që është një nga elementet me të rëndësishme në progresin e projekteve të infrastrukturës publike.
Akti normativ u miratua nga qeveria me 16 gusht. Akti normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht 45-ditore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.