Lamtumirë Artjan Tepelena!
Artjan Tepelena, gazetar dhe drejtor programacioni i Radiotelevizionit SCAN është ndarë në mënyrë të parakohshme nga jeta mëngjesin e kësaj të shtune.
Për fatin e keq, Artjani nuk arriti të fitonte betejën me COVID – 19 dhe u nda nga ne në moshën 58 vjeçare, duke lënë pas kujtime të vyera e të dashura për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët televiziv, ku ai shërbeu prej më shumë se 3 dekadash.
Fillimisht, Artjan Tepelena nisi karrierën televizive në Radio Kukësi, duke kaluar më tej në Radiotelevizionin Publik Shqiptar.
Tani ka qenë gazetar, pedagog i gazetarisë, drejtor lajmesh në Radiotelevizionin Publik Shqiptar dhe Anëtar i Këshillit Drejtues, drejtor i lajmeve në TV Alba dhe prej disa vitesh, drejtor programacioni në Radiotelevizionin SCAN.
Ne kolegët e tij, familja e tij e fundit televizive, nuk do të donim që të raportonim një lajm të tillë kurrsesi, por ashtu siç Tani vet diktonte, lajmi duhet raportuar në kohë reale.
Tani do të mbahet mend jo si vetëm si një bashkëpunëtor profesionist por edhe si një mik shumë i mirë për këdo që e njohu.
Tani, ke shënjuar në Memorie-n tonë, ashtu si dhe misioni që kishe nisur me autorësinë dhe moderimin e Memories, që me aq pasion e fillove si projekt në SCAN.
Lamtumirë maestro!
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.