Lamtumirë tramvajit, koncesioni për terminalin e transportit e heq si investim
Bashkia e Tiranës ka hapur procedurën Koncesion me objekt “Për Hartimin, Ndërtimin, Financimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Transferimin e Terminalit të Transportit Publik në Tiranë.
Kjo është në vazhdën e të njëjtës praktikë të ndjekur edhe nga qeveria për partneritetet publike private. Por ajo që bie në sy në dokumentet e tenderit është ajo e mënjanimit të opsionit të tramvajit.
Ky i fundit ka qenë kryefjalë e kryebashkiakut paraardhës Lulzim Basha, ndërkohë që ishte lënë shpesh evazive nga Veliaj. Por dokumentet e tenderit zbardhin një herë e mirë heqjen e këtij investimi me argumentin e uljes së kostos.
“Zgjidhja 3 kombinon nivelin e duhur të funksionimit, fleksibilitet, integrim me kontekstin urban dhe kosto më të ulët. Investimi kryesor është referuar vetëm për ndërtesën e udhëtarëve dhe terminaleve të autobusëve, në nyjen që plotëson nevojat e automjeteve të udhëtarëve. Kostoja e investimeve për këtë zgjidhje është më e ulët se Zgjidhja 1 dhe 2, si pasoje e heqjes së parkimit nëntokësor, stacionit te trenit / tramvajit, si dhe përjashtimit te objekteve tregtare dhe pushimit”, thuhet në studimin e fizibilitetit.
Bashkia ashtu si edhe konsulenti kanë rënë dakord për opsionin e tretë i cili parashikohet të ketë një kosto 11.9 milionë euro vetëm për ndërtim ndërkohe që zgjidhja 2 me tramvajin si opsion parashikohej me një kosto 42 milionë euro.
Më e shtrenjtë ishte zgjidhja 1 që sërish përfshinte tramvajin me një kosto ndërtimi 62 milionë euro. Ne dokumentet e koncesionit Bashkia ka vlerësuar se vlera e projektit është 15.4 milionë euro, dhe për të do të ofrohet një truall prej 85 mijë metrash.
Kontrata do të ketë një afat 35 vjeçar për koncesionin kurse pozicionimi do të jetë tek rruga e Kastriotëve, Kthesa e Kamzës.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.