Larg konsensusit zgjedhor, Rama: Basha ka refuzuar reformën dhe numërimin elektronik
Referuar platformës zgjedhore me katër kushte që ka prezantuar opozita ka reaguar kreu i qeverisë. Gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh se Basha nuk e do reformën zgjedhore.
Sipas tij edhe pse është punuar gjithë verën për konsensus me opozitën për reformën zgjedhore ajo është refuzuar, madje sipas Ramës nga opozita është refuzuar edhe numërimi elektronik. “Janë dëshpëruar nuk kanë idenë dhe vizion, me vota nuk na mundin dot.
Tani që jemi gati, ka punuar gjithë verën Çuçi për dakordësi dhe për votimin elektronik në dy tre zonë dhe thonë nuk duan. Po çfarë duan? Ua them se ma ka thënë Luli. Pushtetin në tavolinë me marrëveshje, një herë ti dhe një herë unë, por është e vetmja gjë që Lulit nuk ia jap dot, i jap gjysmën e zemrës, po jo këtë. Janë të pafytyrë dhe të pabesë”, tha Rama.
Dy kampet politike në vend janë ende larg konsensusit për reformën zgjedhore. Për herë të fundit, Kodi Zgjedhor është ndryshuar në shkurt të 2015. Pas zgjedhjeve lokale të 2015 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2017, OSBE/ODIHR ka shpallur dy grupe me rekomandime, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke adresuar problematikat e shfaqura në të dy zgjedhjet.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.