Largimi i mjekëve – Barjaba: Do të ndërmerren politika stimuluese dhe detyruese
Politikat dhe strategjitë që do të ndiqen këtë katër-vjeçar në sektorin e shëndetësisë pritet që të zbusin fenomenin e largimit të mjekëve nga vendi. Sipas Kosta Barjabës, rritja e nivelit të pagave për mjekët në nivelet europiane, do të frenojë largimin e tyre.
“Mjekët specialistë që do të shërbejnë në spitale rajonale, në spitale të largëta, në qendra shëndetësore të largëta, do të marrin një pagë të krahasueshme me pagën e mjekëve në vendet e BE-së, gjë që mendoj se është një ofertë shumë e mirë për mjekët dhe kur kjo të zbatohet dhe paga për mjekët specialistë që do të shkojnë të punojnë në spitalet rajonale, ose spitalet bashkiake me ditë të caktuara prapë do të shumëfishohet. Pasi të aplikohen këto masa, shumë pak të drejtë do të kenë mjekët që të mos i përgjigjen kësaj oferte”, u shpreh Barjaba.
Sa i përket specializimeve tashmë do të punohet për hartimin e nevojave dhe specializimet do të ofrohen për ato specialitete që ka mungesa. Një tjetër politikë e ndjekur nga qeveria do të jetë edhe “detyrimi “ i mjekëve që të kthejnë investimin që bën shteti për kualifikimin e tyre, duke punuar për një periudhë kohore në spitalet rajonale apo bashkiake që kanë mungesa.
“Do të ndërtohet harta e nevojave për mjekë specialistë në specialitetet kryesore për të cilat ka nevojë vendi dhe do të programojë këto nevoja dhe mjekët do ta dinë ku ka nevojë dhe cilat janë fushat e specializimit të hapura, sot përveç kësaj, të shtohen masat detyruese ligjore kontraktuale që t’i detyrojë mjekët që kundrejt ofertës dhe kundrejt kësaj mundësie që iu është krijuar për t’u specializuar, ta kthejnë këtë investim që kanë bërë për një periudhë të caktuar dy-tre, ndoshta dhe më shumë vite, në qendra shëndetësore, spitalet ku do të jenë nevojat më të mëdha”, tha Barjaba.
Sa i përket shpenzimeve publike për shëndetësinë, aktualisht ato janë në masën 55% sipas Barjabës dhe pritet që deri në fund të katër vjeçarit të shkojnë në 60%, shifër kjo që do të jetë me afër asaj të vendosur nga OBSH që është 70%.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.