Largimi nga puna! Mënyra profesionale për të lajmëruar dorëheqjen
Nuk ka ndjesi më të mirë se të pranosh një ofertë pune, për të cilën, të është dashur një kohë dhe mund i madh. Kjo ndjesi vazhdon deri në momentin kur ju gjeni diçka tjetër, që ju stimulon më shumë dhe ju duhet t’i thoni drejtuesit tuaj që duhet të largoheni. Çfarë mund t’i thoni atij, për të ruajtur marrëdhënien tuaj të deritanishme? Si mund ta presë ai këtë lajm? Si duhet të siguroheni ju, për të bërë një zhvendosje sa më me takt, në momentin kur i keni treguar atij se duhet të largoheni? Këto pyetje kalojnë në mendjen e gjithsecilit, që ka menduar për të lënë një punë, e për të shkuar te një që i siguron më shumë të ardhura, e një qetësi më të madhe psikologjike.
Tregojani vendimin eprorit tuaj, personalisht (nëse është e mundur)
Bisedat “ballë për ballë” i hapin rrugë besimit, i cili është një përbërës shumë i rëndësishëm, në çfarëdolloj marrëdhënieje. T’i komunikosh eprorit se ti po largohesh nga puna mund të përforcojë edhe më shumë besimin që keni vendosur tashmë, si dhe mund t’i kujtojë atij se mund të besohet te ju, për një largim sa më të lehtë. Përballjet, nga ana tjetër mund të japin mundësinë për të lexuar emocionet e personit, i cili mund t’ju ndihmojë për të kaluar periudhën e lajmërimit të zhvendosjes. A duket eprori juaj i angazhuar, në momentin që ju filloni të ndani me të idenë, se si largimi juaj të jetë sa më pa efekte negative për kompaninë? Nëse po, ai mund të jetë i hapur, për të qenë i përfshirë në mënyrë aktive, duke zbehur bisedën tuaj me kolegët, të cilët do të marrin përgjegjësitë tuaja, apo do të punojnë me dokumentacionin që do lini. Çfarë ndodh, nëse drejtori juaj është me pushime, apo në ndonjë aktivitet tjetër, në momentin që ju vendosni të jepni lajmin për largimin nga puna? Në të dyja këto raste këshillohet që eprori të vihet në dijeni.
Sërish, në këtë rast, lind pyetja: Si do të reagojë ai, nëse pushimet e tij do të ndërpriten nga një çështje pune? Nëse jo, ose nëse ju nuk jeni i sigurt, mund të nisni, duke lajmëruar, së pari, personin, i cili është i ngarkuar ta zëvendësojë atë në këtë periudhë, ose te Departamenti i Burimeve Njerëzore. Nga ana tjetër, ju duhet të lini gjithashtu edhe një takim “ballë për ballë”, përpara se të çoni ndonjë lajmërim me postë elektronike, apo ndonjë metodë tjetër. Sigurohuni që ai të kuptojë që çështja është e rëndësishme dhe kërkon reagim në kohë. Nëse nuk arrini të takoni eprorin tuaj, apo, nëse nuk ndiheni të qetë për t’ia komunikuar largimin tuaj personalisht, ju mund të çoni një letër dorëheqjeje, që mund të jetë edhe një mesazh në postën elektronike. Në fakt, edhe nëse ju e lajmëroni atë personalisht, shumica e zyrave kërkojnë një letër zyrtare dorëheqjeje, për ta patur atë në arkivin e tyre. Në momentin që ju ia keni komunikuar drejtorit tuaj lajmin, pyeteni atë, për mënyrën se si parapëlqen ai, që të lajmëroni kolegët e tjerë, departamentet si dhe ata që ju keni bashkëpunuar deri më tani.
Shprehni mirënjohjen tuaj të thellë për kohën e shpenzuar në kompani
Gjetja e fjalëve, të cilat mund t’ia thoni drejtuesit tuaj për largimin mund të jetë më e vështirë sesa mënyra se si do ia thoni ato. Falenderimi, apo diçka e tillë, siç ndodh në shumë situata, është një ide shumë e mirë për ta nisur. Ju, në bisedën me eprorin tuaj, mund të përdorni, ose të përshtasni, ligjëratën nga letra e largimit nga puna, si për shembull: “E kam të vështirë të them se sa shumë i kam vlerësuar të gjitha mundësitë që më janë dhënë në këtë kompani, e ndërkohë që mezi pres të hedh hapin tjetër, e di se mbështetja dhe marrëdhënia e shkëlqyer, që kam patur me kolegët, si pjesë e një ekipi shumë ambicioz dhe profesional, nuk mund të krahasohet lehtësisht.” Kjo, pak a shumë, mund të ishte edhe një model i fjalive për të drejtuar te kolegët që do të lini pas. Këtu, sigurisht, ka vend edhe për më shumë shtesa, për ta bërë zhvendosjen dhe largimin tuaj, më të lehtë dhe më profesional. Qëndroni të palëkundur dhe me besim në vetvete, në momentin kur ju jepni lajmin e largimit tuaj nga puna, në mënyrë që të mos ndiheni nën presion, për të qëndruar edhe më shumë. Rezistojini edhe urgjencës për të dhënë shpjegime, më shumë seç duhet, për veprimin që po ndërmerrni. Ju nuk keni nevojë të jepni detaje shtesë, përsa i përket pozicionit të ri që do të mbani në vendin e ri të punës, e kështu që nuk është e domosdoshme që të thoni se keni pranuar një pozicion të ri pune, gjetkë.
Njoftoni largimin, të paktën, dy javë para
Periudha e lajmërimit është një shenjë mirësjelljeje dhe mirënjohjeje ndaj punëdhënësit dhe kolegëve tuaj, pasi ata kanë nevojë për kohë, për të përcaktuar dhe përballuar barrën e punës, nga largimi juaj. Në këtë mënyrë, ata përgatiten për të punësuar dikë, për t’ju zëvendësuar. Koha standarde e lajmërimit është dy javë, por, juve nuk iu kërkohet domosdoshmërisht aq. Nëse ju jeni ndjerë të cënuar verbalisht apo edhe në terma të ngarkesës dhe pagesës, nuk ka asnjë përfitim që ju të rrini gjatë. Në mënyrë të ngjashme, nëse ju punoni në një mjedis kërcënues dhe me nivel të lartë stresi, qëndrimi me dy javë të tjera mund të jetë mjaft i dëmshëm për ju. Në kësi situatash duhet mbajtur mend se nëse nuk njoftoni dy javë para mund të ketë një ndikim negativ për referencat e ardhshme që mund të japë kompania juaj, nëse ju kërkohet te puna e re, kështu që periudha dyjavore është standarde. Nga ana tjetër, ju mund të dëshironi të jepni edhe më shumë se dy javë kohë, nëse keni një projekt të madh që mund të mbyllni në muajin e fundit, ose nëse punëdhënësi juaj e ka pritur mirë dhe ka shprehur vlerësimin për lajmërimet e parakohshme nga puna, në të kaluarën. Eksperiencat kanë treguar, gjithashtu, se lajmërimi me vonesë mund të ketë edhe efekte të tjera, edhe nëse ju mund të keni shumë vite që punoni në një kompani. Lajmërimet shumë të vonuara kanë treguar se ka patur raste të krijimit të tensioneve dhe marrëdhënieve të ndera me punonjësit e rinj, pasi eprorët janë ngutur që ata të integrohen menjëherë, duke mos lënë shumë kohë në dispozicion, për të patur eksperiencën e duhur që puna të rrjedhë normalisht. Së fundmi, një gjë tjetër që duhet patur parasysh është se periudha e vonuar e lajmërimit për largim nga puna, mund ta bëjë më të vështirë pasjen e kohës pushim midis dy punëve, gjë e cila është shumë e domosdoshme.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.