“Laura” lë pas vetëm shkatërrim – Regjistrohen 4 viktima, stuhia “deklasohet”
Uragani “Laura” që u përplas në brigjet e Louisiana këtë të enjte ka lënë pas të paktën 4 viktima dhe një shkatërrim të madh, siç duket edhe nga pamjet satelitore. Ndërtesa dhe pemë të shkatërruara apo rrëzuara janë një panoramë normale në pjesë të ndryshme të shtetit të Louisiana.
Stuhia u “deklasua” më pas në nivelin 2 dhe përmbyti zona të ndryshme në Arkansas. Rreth 867 mijë shtëpi në zonat e goditura nga stuhia kanë mbetur pa energji elektrike dhe janë të rrethuara nga një shkatërrim i paprecedentë.
Me erërat që kaluan 240 kilometra në orë kur stuhia preku brigjet e Louisiana, “Laura” ka qenë edhe më e fortë se Katrina, e cila shkatërroi brigjet e New Orleans në vitin 2005 dhe la pas mbi 1200 viktima. Sezoni i uraganëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në kulmin e tij dhe situata me covid-19 vetëm sa i vështirëson më shumë planet e autoriteteve, e sidomos planet e evakuimit.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.