Le Pen “rrëzon” euron – Bie nën $1.05, shqetësime edhe përtej oqeanit
Monedha e përbashkët europiane theu një tjetër barrierë gjatë sesionit të sotëm, duke rënë përkohësisht poshtë nivelit të 1.05 dollarëve, për të parën herë në 6 javët e fundit.
Shqetësimet që lidhen me zgjedhjet presidenciale në Francë si dhe gjasat për një rritje të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar rënien e monedhës së përbashkët kundrejt dollarit amerikan.
Marine le Pen, sipas sondazheve rezulton të jetë Presidentja e ardhshme e Francës, duke shkaktuar një termet në tregje. Kandidatja e ekstremit të djathtë është zotuar të nxjerrë Francën nga unioni monetar. Pesha e basteve në tregje kundër euros ka prekur nivelin më të lartë në një vit, madje edhe mbi nivelin e ditëve që rrethuan referendumin britanik.
Nga ana tjetër, sinjalet që vijnë nga përtej oqeanit, flasin për një vullnet në rritje të Rezervës Federale për të vijuar rrugëtimin drejt kahut shtrëngues të politikave monetare.
Në rast se Rezerva Federale do të surprizojë tregjet duke ndërhyrë më shpejt seç pritet, atëherë monedha e përbashkët mund të pësojë një tjetër goditje. Gjithsesi, Le Pen dhe Franca aktualisht po udhëheqin trajektoren e euros.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.