Lehtësim procedurash doganore – Hyn në fuqi Kodi i ri doganor. Ja ndryshimet
Procedura të thjeshtëzuara, ulje e kostos dhe rritje e sigurisë ligjore për operatorët ekonomikë. Këto janë disa nga ato lehtësi që nga pikëpamja procedurale përfshin Kodi i ri Doganor, i cili hyri në fuqi në 1 Qershor.
Gjithashtu parashikohen ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura tranziti.
Më hyrjen në fuqi të këtij Kodi pritet të vendoset një marrëdhënie bashkëpunuese mes biznesit dhe administratës doganore, por edhe një praktikë e re e unifikuar me sistemin doganor europian.
Përfitimet e biznesit
Shkurtimi i kohës për praktikat administrative;
Marrja e informacionit në kohë reale mbi procedurat dhe aktet administrative;
Ulja e kostos së aplikimit;
Rritja e nivelit të transparencës;
Rritja e nivelit të zbatueshmërisë ligjore;
Rritja e pozicionit konkurrues në treg.
Përfitimet e administratës shtetërore
Mbledhjen korrekte të detyrimeve doganore;
Manaxhimi më i mirë i riskut;
Ulja e nivelit të korrupsionit;
Nivel i lartë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe koordinim i veprimeve në kohë reale;
Transparencë në marrëdhëniet mes administratës shtetërore dhe sektorit privat (kjo gjë do të ndikojë ndjeshëm në krijimin e një klime miqësore për biznesin);
Lehtësimi i shkëmbimit të të dhënave në nivel ndërkombëtar duke rritur kështu nivelin e sigurisë.
Gjithashtu, risi është se Kodi i ri Doganor fut konceptin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO). Kështu aksesi në procedurën e zhdoganimit të “centralizuar” , i lejon ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet nga zyra e tyre e regjistruar. AEO-të gjithashtu mund të lejohen të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm.
Përveç të tjerave, AEO-të do të kenë mundësi të përfitojnë nga shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar. Lehtësim tjetër për AEO-të ka të bëjë me kohën kur mallrat konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur operatori paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja të bëjë paraqitjen e mallrave.
AEO gëzon trajtim më të favorshëm se operatorët e tjerë ekonomikë për sa u përket kontrolleve doganore në përputhje me llojin e autorizimit të dhënë, duke përfshirë më pak kontrolle fizike dhe dokumentare. Aplikuesi, për t’iu dhënë statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar, duhet të plotësojë disa kritere të përcaktuara në Kod.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.