“Lehtësim taksash për Durrësin” – Dhoma e Tregtisë, kërkesa 3 bashkive: Përjashtim dhe shtyrje e pagesave
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kërkon marrjen e një sërë masash lehtësuese nga Këshillat Bashkiakë në Durrës, Shijak dhe Krujë në drejtim të taksave dhe tarifave vendore për bizneset. Sipas Dhomës, kërkesat bazohen në situatën e rënduar të krijuar, jo vetëm nga COVID-19, por edhe nga tërmeti i 26 nëntorit, që preku një numër të konsiderueshëm biznesesh.
Për këtë arsye kërkohet anulimi i taksave dhe tarifave vendore për të gjithë bizneset e mbyllur për shkak të koronavirusit të ri. Po ashtu kërkohet ulje me 20% e taksave dhe tarifave vendore për vitin 2020 për të gjithë bizneset, pa përjashtim. Një tjetër kërkesë lidhet me shtyrjen e afatit të pagesave të taksave dhe tarifave vendore 6-mujorin e dytë, duke bërë likujdimin me këste.
Gjithashtu, kërkohet përjashtimi i biznesit të turizmit, sikurse janë hotelet, restorantet apo plazhet si dhe transporti i udhëtarëve nga pagesat e taksave dhe tarifave vendore për vitin kalendarik 2020. Për ata që i kanë paguar këto taksa, sugjerohet indeksimi për vitin 2021. Ndërkohë, kërkesa e fundit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës lidhet me dezinfektimin e mjediseve të bizneseve, në kuadër të administrimit të fondeve të mbledhura nga taksa e pastrimit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.