Lehtësimi i tregtisë – Konstituohet Komisioni për masat, axhenda e 8 majit
Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importet zhvilloi të hënën takimin e parë në një prezantim formal të anëtarëve pas vendimit të qeverisë të datës 12 prill që caktonte edhe ngritjen e tij.
Në një njoftim të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes bëhet me dije se takimi i radhës do të mbahet në datë 8 maj dhe në fokus të diskutimit do të jenë disa nga problematikat që hasen me tregtimin e produkteve shqiptare në vendet fqinje.
Konkretisht një ndër problematikat e ngritura është ajo e qumështit me Maqedoninë. Problemet e ngritura kanë të bëjnë me barrierat dhe burokracitë si në import ashtu dhe në eksport duke kërkuar një zgjidhje optimal përmes marrëveshjeve dhe ndërhyrjeve të mundshme.
Ashtu sikurse është sanksionuar në vendimin e qeverisë komisioni ka në përbërje përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Jashtme, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfaqësues të Doganave.
“Ky komision ka si qëllim të adresojë gjithë problematikat që hasen në fushën e eksport/importeve mes vendit tone dhe vendeve të tjera si dhe marrjen e masave mbrojtëse për industrinë prodhuese vendase nga praktikat e pandershme të tregtisë ndërkombëtare me anë të importeve të dumpuara apo të subvencionuara, si edhe në rast importi të produkteve në sasi të mëdha”, thekson ministria e Zhvillimit Ekonomik.
Në funksion të lehtësimit do të shihen edhe mundësi të tjera për marrëveshje të reja të tregtisë së lirë.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.