Lehtësohet industria automotive – Paketa fiskale 2020/ Përjashtim nga TAP edhe për sportistët
Qeveria ka vendosur të krijojë lehtësi për industrinë automotive për vitin 2020, duke ulur shkallën e tatim fitimit nga 15 në 5 për qind me qëllim nxitjen e interesit për këtë sektor dhe thithjen e investimeve të reja. Kjo industri që merret me prodhimin e pjesëve të automjeteve dhe është një ndër sektorët më të mëdhenj të ekonomive globale për nga të ardhura. Vendi ynë ka konkurrencë të fortë në këtë drejtim nga Serbia dhe Maqedonia. Gjithashtu, Ministria e Financave ka parashikuar lehtësi për sportistët, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat shpërblimet nga buxheti i shtetit që u jepen sportistëve apo ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni përkatës, për rezultatet e arritura në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.”. Ndërsa ka parashikuar që për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milion lekë, shumat e sponsorizuara, brenda kufijve të parashikuar në ligjin “Për sponsorizimet, për veprimtaritë e ekipeve sportive pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni në fuqi i fushës, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar. Nuk lejohet mbartja e tyre në periudhat tatimore të ardhshme”. Sa i takon mbartjes së humbjeve është përcaktuar se “Për tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë, në rast se fitimi i tatueshëm në një periudhë tatimore rezulton negativ, humbjet e rezultuara mund të mbulohen me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimore, sipas parimit “humbja e parë më përpara se ajo e fundit”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.