Lejet për anijet e peshkimit – Ndryshon afati i rinovimit, zgjatet në 20 vjet
Anijeve të peshkimit nuk do t’u duhet më të rinovojnë lejet çdo 5 vjet. Ministria e Bujqësisë ka vendosur që në kuadër të reformës së derregullimit, ta zgjasë këtë afat deri në 20 vjet dhe brenda vitit ky afat do të hiqet fare.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Roland Kristo, shpjegon për TV SCAN arsyet e kësaj inciative.
“Ne e kemi vendosur në afat 20 vjeçar, dhe është me idenë që kjo anije është peshkimi dhe ka të drejtën për të peshkuar. Dhe s’ka pse të vijë njëherë në pesë vjet për të rinovuar lejen. Ne tani na pengon ligji, dhe do ta bëjmë ndryshimin këtë vit që do ta heqim fare afatin, pra do të jetë leje pa afat. Në momentin që ti e ke marrë njëherë lejen për peshkim, ajo do të ketë vlerë për sa kohë do të funksionojë anija”.
Sipas tij, pronarët e anijeve të peshkimit do të drejtohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit vetëm në rastet kur ndryshojnë të dhënat.
“Subjektet do të paraqiten në QKB vetëm në rastet se do të ndryshojnë të dhënat, por jo për të ridiskutuar lejen. Në qoftë se anija ndryshon leje, ndryshon pronari, ndryshon porti, do të paraqitet në QKB të dorëzojë dokumentet për ti zëvendësuar me të rejat”.
Sektori i peshkimit është regjistruar me rritje të eksporteve gjatë vitit që lamë pas në rreth 30 për qind, për shkak të investimeve në sektor dhe formalizmit, ndërsa qeveria po i jep prioritet më qëllim zgjerimin e mëtejshëm edhe përmes financimit me Skemat Kombëtare 2018.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.