Leku i fortë ul borxhin – 12 miliardë lekë më pak që nga fillimi i vitit
Si rrallëherë në dekadën e fundit, borxhi publik pësoi rënie gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në fund të qershori stoku i borxhit ishte në rënie me afro 12 miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Borxhi publik shqiptar kishte vlerën e 1.075 trilionë lekëve, ndërsa në terma realë ka zbritur në rreth 65.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sidoqoftë, kjo shifër është e destinuar të rritet deri në fund të vitit, kur qeveria të ketë shpenzuar deficitin e parashikuar për këtë vit, ndërsa llogaritjet për prodhimin kombëtar do të kenë një marzh më të vogël gabimi.
Ulja e përkohshme e borxhit publik lidhet me kursin e konsolidimit fiskal, por edhe me një ecuri të ngadaltë të shpenzimeve buxhetore, tipike për fillimin e vitit. Deri në fund të korrikut, buxheti ishte në suficit me 3.1 miliardë lekë.
Një efekt pozitiv në uljen e borxhit ka dhënë edhe kursi i këmbimit. Mbiçmimi i ndjeshëm i lekut ndaj euros e ka tkurrur vlerën e borxhit, të llogaritur në monedhën vendase.
Në mesin e këtij viti, kursi euro – lekë ishte 5.3% më i ulët krahasuar me fundin e vitit 2017. I matur në euro, stoku i borxhit të jashtëm rezulton sërish në rritje të lehtë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.