Lëndët e para – Çfarë po ndodh me naftën në botë ? – SCAN Magazine
Fondi norvegjez i naftës shet aksionet e lëndëve të para
Fondi norvegjez i naftës, prej mbi 1 trilion dollarë, ka shitur aksionet e disa prej emrave më të mëdhenj të lëndëve të para, si Glencore, Anglo American dhe RWE. Fondi më i madh sovran në botë tha se vendimi erdhi pasi kompanitë nuk kanë respektuar udhëzimet për përdorimin e qymyrit. Si një ndër aksionerët më të mëdhenj në botë, fondi norvegjez zotëron një mesatare prej 1.5% të aksioneve çdo kompanie të listuar në botë dhe ndiqet nga afër nga investitorët e tjerë mbi vendimet që merr. Gjithashtu, fondi ka shitur aksionet që zotëronte te kompania minerare braziliane, Vale, për shkak të “dëmtimit të rëndë mjedisor” nga shpërthimi i një dige. Gjithashtu, fondi norvegjez i naftës ka vendosur në një “listë monitorimi” kompanitë BHP Billiton, Enel, Uniper dhe Vistra Energy për shkak të përdorimit të qymyrit dhe mund të përballen me shitje të aksioneve më vonë gjatë vitit. Kriteret e reja që ndalon fondin të investojë në kompani që nxjerrin më shumë se 20 milionë ton qymyr termal ose përdorin më shumë se 10,000 MW energji nga qymyri, çuan në shitjen e aksioneve të kompanive të lëndëve të para si Glencore dhe Anglo American, kompanive të shërbimeve RWE dhe AGL Energy, dhe kompanisë petrokimike, Sasol. Gjithashtu, fondi i naftës njoftoi se masat ishin më drastike këtë herë edhe për shkak të trazirave në tregje, të shkaktuara nga koronavirusi. Fondi zotëronte 1.2% të Glencore, 2.4% të Anglo American, 0.6% të RWE dhe 0.5% të Vale. Gjithashtu, fondi norvegjez zotëron 5% të aksioneve të BHP, që është kompania minerare më e madhe në botë. Gjatë viteve të fundit, parlamenti norvegjez ka shtrënguar rregullat se ku mund të investojë fondi, duke përjashtuar nga lista kompanitë nxjerrëse të qymyrit, prodhuesit dhe përpunuesit e duhanit, të armëve bërthamore dhe bombave. Në anën tjetër, në listë janë shtuar kompani të energjisë së gjelbër, si Lundin Energy, Marathon Oil dhe Cairn Energy. Gjithashtu, fundit nuk i lejohet të investojë në disa prej kompanive më të mëdha në botë, si Airbus, Boeing, British American Tobacco, Honeywell dhe ZTE.
Industria e naftës argjilore në SHBA përgatitet për falimentime
Grupet më të mëdha të pavarura të naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar një humbje të kombinuar prej 26 miliardë dollarë, në tremujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që sektori përballet me një valë falimentimesh, gjatë dy viteve në vijim. Rënia drastike e kërkesës për naftë që u shkaktua nga pandemia e koronavirusit ka detyruar prodhuesit më të mëdhenj të naftës në SHBA të shtyjnë më shumë se 38 miliardë dollarë kredi, sipas një analize të Rystad Energy. Analistët parashikojnë se 250 kompani mund të falimentojnë përpara fundit të vitit të ardhshëm, përveçse nëse çmimet e naftës rriten me shpejtësi dhe të ofrojnë një gjenerim të parave për prodhuesit. Në të kundërt, prodhuesit do të ndëshkohen nga borxhet e larta. Megjithatë, gjatë tre javëve të fundit çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, me naftën Bruto amerikane që është afër 35 dollarëve për fuçi. Megjithatë, analistët mendojnë se çmimet në rreth 35 dollarë për fuçi nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar industrinë e naftës argjilore. Deri më tani, 7 kompani të vogla të naftës dhe gazit në SHBA, me një borxh total prej 14 miliardë dollarë, kanë aplikuar Kapitullin 11 të falimentimit. Analistët parashikojnë se deri në fund të këtij viti mbi 70 kompani do të falimentojnë dhe 170 të tjera do të bëjnë të njëjtën gjë deri në fund të vitit 2021, gjithmonë nëse çmimet qëndrojnë në këto nivele. “Boom”-i naftës argjilore e ka dyfishuar prodhimin e naftës në SHBA që nga viti 2008 dhe për rrjedhojë edhe eksportet janë rritur ndjeshëm.
Zvicra eksporton 111.7 ton ar në SHBA, gjatë prillit
Eksportet zvicerane të arit drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë arritur një total prej 111.7 ton gjatë prillit, një nivel rekord mujor, ndërkohë që dërgesat edhe në vende të tjera janë rritur. Edhe tregu fizik i arit është përballur me pandeminë e koronavirusit, me kërkesën në Kinë dhe në Indi që ka rënë ndjeshëm. Por, në tregjet financiare, ari ka qënë një aset i preferuar nga investitorët, si një alternativë për tu mbrojtur gjatë periudhës së trazirave. Zvicra, një qendër e madhe tregtare, “një kasafortë” dhe një qendër përpunimi i metaleve të çmuara, eksportoi një total prej 131.8 ton ar gjatë prillit, nga 96.2 ton që eksportoi në mars. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që zakonisht importojnë më pak se 1 ton ar në muaj nga Zvicra, bleu rreth 85% të kësaj sasie. Gjithashtu, Zvicra eksportoi 500 kilogram ar drejt Indisë, 1 kilogram drejt Hong Kongut dhe zero drejt Kinës, gjatë prillit. Këto vende zakonisht blejnë dhjetëra ton ar nga Zvicra, çdo muaj. Referuar këtyre shifrave, investitorët shprehen se, ashtu si çdo sektor tjetër edhe tregu i metaleve të çmuara është goditur ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit, për shkak se është çrregulluar zinxhiri i furnizimit të tregut. Analistët parashikojnë se, tregu fizik i arit do të fillojë gradualisht rimëkëmbjen, paralelisht edhe me hapjen e ekonomive më të mëdha në botë, pas rreth 2 muajsh në karantinë. Në fund të muajit maj, ari tregtohej pranë 1740 dollarëve për onz, që është niveli më i lartë që nga viti 2011, kur kulmonte kriza e borxheve në Eurozonë.
Ligji i sigurisë në Hong Kong kërcënon lëndët e para
Në fund të muajit maj, parlamenti kinez miratoi ligjin e sigurisë kombëtare për Hong Kongun, që u kthye me shpejtësi në një burim konflikti me banorët e qytetit dhe vendet perëndimore, që shqetësohen për pavarësinë dhe liritë e vendit. Kina bëri të ditur se ligji synon trajtimin e ndarjeve, terrorizmit dhe ndërhyrjes së huaj në qytet. Megjithatë, plani i prezantuar në Pekin shkaktoi protestën më të madhe në Hong Kong, që prej shfaqjes së koronavirusit. Policia ka ndaluar me forcë protestuesit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shtuan presionin për të ruajtur pavarësinë e qendrës financiare. Vitin e kaluar, qyteti u lëkund për muaj me radhë nga protestat kundër ligjit të ekstradimeve drejt Kinës. Ligji i sigurisë po ngre shqetësime se Pekini do të vendosë autoritetin ndaj qytetit dhe do cënojë pavarësinë e ish kolonisë britanike, që ka gëzuar një autonomi nëpërmjet formulës “një shtet, dy sisteme”. SHBA, Britania dhe Bashkimi Europian, kanë shprehur shqetësime mbi legjislacionin dhe ndikimet që do të ketë te një nga qytetet më të lira nën mbikëqyrjen kineze. Gjithashtu, ekzistojnë shqetësime se Hong Kongu do të humbasë edhe statusin special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ligj i SHBA i miratuar vitin e kaluar, kërkon që Hong Kongu të ruajë një autonomi të mjaftueshme për të pasur një marrëdhënie të favorshme tregtare me Amerikën. Deri tani, qyteti ka qënë i liruar nga tarifat që i janë vendosur produkteve kineze, si pjesë e luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Analistët mendojnë se kjo do të dëmtojë edhe tregun e lëndëve të para, pasi Hong Kongu është një ndër qendrat më të mëdha financiare në Azi.
Lidion Kulla / SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.