Letra e Ministrit të Infrastrukturës – I kërkohet EULEX-it lirimi i aeroportit të Batllavës
Ministria e Infrastrukturës në Kosovë i ka kërkuar misionit të EULEX të lirojë aeroportin e Batllavës sa më parë.
Në një intervistë për KosovaPress, ministri i Infrastrukturës zbulon se i ka dërguar një shkresë zyrtare ministrit të Punëve të Brendshme Skënder Hyseni për të liruar këtë pronë. Sipas Lutfi Zharkut, aeroporti mund të përdoret për fluturime komerciale ose civile, pas një procesi vlerësimi.
“Unë si ministër i kam bërë shkresë zyrtare ministrit Hyseni që në bashkëpunim me EULEX-in ta lirojnë atë aeroport në mënyrë që të kemi mundësi ta shfrytëzojmë për çfarë do kuptimi komercial pavarësisht se nuk po paragjykoj destinimin a do të jetë për fluturime komerciale apo do të jetë për fluturime… Besoj që ministri Hysnei me EULEX-in do të merren me atë çështje që në afat sa më të shpejt ta lirojnë atë aeroport”, tha Zharku.
Aeroporti është ndërtuar në vitin 1936 dhe përdorej nga linja ajrore serbe Aeroput për fluturime civile. Më pas ai u rindërtua dhe u kthye në përdorim ushtarak nga forcat ajrore jugosllave. Pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 ai u dëmtuar.
Krahas këtij aeroporti, në Kosovë janë funksionalë vetëm aeroporti i Prishtinës dhe ai i Gjakovës.
Ndërkohë, Ministri Zharku u shpreh edhe për disa projekte të reja me rëndësi të veçantë në infrastrukturën rrugorë. Sipas tij në Gusht do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e autostradës Kijevë-Pejë, ndërsa këtë muaj nis ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.
KosovaPress/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.