Lëvizja e lirë – BE do të lejojë qytetarët britanikë të udhëtojnë pa viza për turizëm dhe qëllime biznesi
Ligjvënësit e Bashkimit Europian deklaruan se qytetarët britanikë do të mund të udhëtojnë pa biza pas Brexit, por vetëm nëse Britania jep të njëjtën të drejtë për shtetasit e BE-së, pasi blloku po përgatitet për një largim të mundshëm të Britanisë pa marrëveshje.
Komiteti i Lirive Civile i BE-së votoi me shumicë dërrmuese të mërkurën me 38 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenim, për të lejuar lëvizjen e lirë për turizëm apo udhëtime biznesi. Masa lejon qëndrime deri ne 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, por nuk jep të drejtën për të punuar.
Parlamenti Europian me shumë gjasa pritet ta mbështesë vendimin të enjten. Zyrtarët e BE-së shprehen se është shumë e mundur që Britania do të largohet pa një marrëveshje, duke sjellë pasoja potencialisht shkatërruese politike dhe ekonomike.
Sekretari britanik i Brexit, Steve Barclay tha për BBC se disa propozime të tilla si bashkimi doganor me BE-në do të ishin shumë të vështira për qeverinë që ta pranojë, por palët duhet të ulen dhe të punojnë për një marrëveshje për të shmangur një dëm të mundshëm nga një Brexit pa marrëveshje.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.