Lëvrohet fondi për vaksinat e “Dermatozës Nodulare”, ministrja e Financave Vukaj firmos aktet përkatëse
Ministria e Financave njofton opinionin publik, si dhe subjektet e interesuara për lëvrimin e fondit për vaksinat kundër “Dermatozës Nodulare”. Konkretisht numri një i Financave Publike, Helga Vukaj ka firmosur aktet përkatëse ditën e djeshme më datë 06.06.2017.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Financave thuhet se Vukaj u njoh me këtë çështje vetëm ditën e djeshme, gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të komunitetit të biznesit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë.
“Menjëherë pas ngritjes së këtij shqetësimi nga Këshilli i Agrobiznesit, zonja Vukaj kërkoi informacionin e nevojshëm nga aparati i ministrisë dhe firmosi menjëherë aktin për lëvrimin e këtij fondi të domosdoshëm, i cili veç të tjerash ndikon drejtpërsëdrejti në sigurinë ushqimore të konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e MF-së
Osman Dedja/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.