Libani, pranë krizës ushqimore – OKB do dërgojë 50,000 ton miell gruri, mjaftueshëm për 3 muaj
Organizata e Kombeve të Bashkuara po dërgon grurë në Liban për të shmangur një krizë ushqimore, pas shpërthimit në Bejrut që la 160 persona të vdekur dhe shkatërroi kapanonet e grurit. Programi Botëror i Ushqimit do të dërgojë 50,000 ton miell gruri në Bejrut, mjaftueshëm për të furnizuar Libanin për 3 muaj. Ngarkesa e parë prej 17,500 ton do të mbërrijë në 10 ditë. Dërgesat do të shkojnë tek furrat e bukës, për të siguruar se nuk ka mungesë ushqimi, sipas Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Shpërthimi gjigant më 4 Gusht shkatërroi kapanonet kryesore të grurit në portin e Bejrutit, duke shtuar shqetësimet e krizës ushqimore, në një vend që është gjunjëzuar nga kriza ekonomike. Shpërthimi, që shkaktoi miliarda dollarë dëme, ndodhi pranë një magazine të grurit dhe la vendin me vetëm 6 javë rezerva, që është sa gjysma e standardit për të pasur siguri ushqimore, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Libani mbështetet tek kompanitë private që marrin miell nga Ukraina, Rusia dhe vende të tjera europiane. Qeveria blinte dikur nga fermerët lokalë sipër çmimeve të tregut, por nuk e ka bërë këtë prej vitesh.
Shpërthimi ka përkeqësuar krizën tek vendi, që është goditur këtë vit nga pandemia e koronavirusit dhe tkurrja ekonomike. Qeveria dështoi në pagesat e rreth 30 miliardë dollarë të eurobondeve në Mars dhe është përpjekur të marrë një paketë të shpëtimit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.