Lidhja energjetike me Maqedoninë – OST, Drenova: Brenda 5 muajsh shpallim fituesin, punimet zgjasin 3 vjet
Teksa Maqedonia ka përzgjedhur kompaninë që do të zbatojë punimet për linjën e interkonjeksionit 400 kv me Shqipërinë, Operatori i Sistemit të Transmetimit thonë se vendi ynë do të përmbyllë këtë procedurë brenda 4-5 muajve të ardhshëm.
Në një prononcim për TV SCAN, drejtori i OST, Skerdi Drenova thotë se në garë janë 5 kompani të huaja për nënstacionet dhe 4 kompani për ndërtimin.
Ndërkaq, me përmbylljen e kësaj faze, parashikohet që përfundimi i linjës të bëhet brenda 36 muajsh. Sipas Drenovës, këtu përfshihet koha e projektimit, marrja e lejeve përkatëse, shpronësimet si dhe zbatimi.
Interkonjeksioni Shqipëri-Maqedoni parashikon ndërtimin e një linje 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Qafë-Thanës si dhe ndërtimin e një linje 400 kV midis Elbasanit dhe Fierit. Po ashtu, parashikohet ndërtimi i një nënstacioni të ri 400 kV Elbasan 3 si dhe forcimi dhe zgjerimi i nënstacionit të Fierit.
Financimi i këtij projekti është siguruar nga një kredi 50 mln euro, marrë nga KFW gjermane. Ndërkohë që, për të mbuluar financimin e plotë të projektit, është vënë në dispozicion një grant nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor ( WBIF) prej 13,7 milion euro.
Sipas OST-së, projekti përforcon lidhjet me rrjetin rajonal të energjisë elektrike, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në rajon.
Gjithashtu, zhvillon rrjetin 400 kV në zonën Jugore të Shqipërisë ku parashikohen të zhvillohen burimet e ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.